Keshilla

Pse duhet të visheni si për zyrë edhe kur punoni nga shtëpia

Puna nga shtëpia ka bërë që më në fund mos të shqetësohemi se çfarë do të veshim në punë por a është kjo gjë e mirë? Ekspertë që studiojnë lidhjet midis rrobave, trurit dhe produktivitetit kanë zbuluar prej kohësh që veshja për punë mund të përmirësojë performancën tuaj. Disa studiues po e shikojnë këtë lidhje dhe tani që shumë njerëz po punojnë nga shtëpia. "Në disa mënyra, rrobat që vishni mund të kenë një ndikim të madh në punë sepse ne shpesh e lidhim punën tonë me atë që kemi veshur, edhe pse pavetëdije." tha Adam Galinsky, bashkëautor i studimit të lidhjeve midis rrobave, trurit dhe produktivitetit. Studimi tij, i botuar kur ai ishte profesor në Universitetin Northwestern në 2012, përdori bluza të bardha laboratorike për të testuar ndikimin e rrobave në psikologjinë e njerëzve. Në fillim, Adam vuri përballë një grup të veshur me bluza të bardha laboratorike kundër një grupi të veshur me rroba normale dhe rezultoi se ata që veshën bluza laboratorike performuan më mirë.

Në testimin e dytë dhe të tretë, një grupi i thanë se bluzat e bardha të laboratorit ishin bluzat e mjekut, një grupi tjetër i thanë se ishin bluzat e piktorëve dhe një tjetër mbante rroba normale. Në të gjitha testet, ata që menduan se kishin veshur bluzë të bardhë mjeku kishin rezultate më të mira. Studimi tregoi se kuptimi simbolik i veshjes bëri që pjesëmarrësit të ishin më të vëmendshëm në atë që bënin dhe kishin një performancë më të mirë. Tani Gainsky dhe dy studentë në Fakultetin e Biznesit në Universitetin e Kolumbisë kanë filluar të studiojnë ndikim e veshjes në punën nga shtëpia. Ndërkohë, një studim i vitit 2015 zbuloi se veshja serioze në punë çon në mendimin se mund të kemi më shumë përgjegjësi sesa kemi në të vërtetë dhe bën që të rrisim performancën tonë. Bashkëautori i studimit Michael Slepian, profesor në Fakultetin e Biznesit në Universitetin e Kolumbisë thotë se ky studim vlen dhe për ditët e sotme ku shumë njerëz po punojnë nga shtëpia. "E vetmja gjë që ju duhet të bëni është të visheni vetëm pak më formalisht sesa visheni në shtëpi." tha ai. Në fakt, shumë njerëz mendojnë se duke u veshur 'rehat' mund të kenë performancë më të mirë në punë. Vlen për tu përmendur Mark Zuckerberg i cili preferon të shfaqet kudo me atlete, bluzë të thjeshtë dhe xhinse.

"Veshja e rrobave serioze nuk ka shumë rëndësi nëse për ju është njësoj dhe kur vishni rroba të të përditshmes, gjithsesi është mirë të ndryshoni rrobat kur filloni orari i punës për të kuptuar më mirë se "është orari i punës" pasi truri ynë ka nevojë për stimuj të tillë." thotë Vanessa Bohns, pedagoge në Universitetin Cornell. Veshja shumë serioze në shtëpi nga ana tjetër për disa mund të rrezikojë shpërqendrimin pasi ato mund të ndihen qesharakë dhe të duket sikur po luajnë çka dhe çon në një performancë jo dhe aq të mirë në punë." thotë Galinsky. Një tjetër këshillë e rëndësishme për ata që punojnë nga shtëpia: Ajo që vishni mund të sjellë ndryshim edhe kur është koha të pushoni. "Veshja e rrobave të shtëpisë, ato që ju bëjnë të ndiheni rehat, bëjnë që truri juaj të mendojë se është koha e relaksit." thotë psikologia Cathleen Swody.
Burimi:The wall Street Journal. Përktheu:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë