Futboll

Pse Berluskoni po kthehet në futboll me anë të Monza?

Të gjithë deri para një viti kishim menduar se dashuria e Silvio Berluskoni në futboll kishte vetëm dy ngjyra, kuqezi dhe quhej Milan. Por paska qenë një mit, ashtu si shumë tema të tjera që lidhen me jetën e “kavalierit”.

Përgjatë 48 orëve të fundit mediet italiane kanë publikuar një seri artikujsh që flasin për rikthimin e Silvio Berluskonit në botën e futbollit. Ish-presidenti i Milan është shumë pranë marrjes në kontroll të klubit të Serie C, Monza. Me 31 vite në drejtimin e Milan dhe 29 trofe të fituar, Berluskoni vështirë se mund të sfidohet nga ndonjë president tjetër në Itali. Por kjo peshë e madhe suksesi mund të shndërrohet në një barrë të madhe të “kavalierin” që nuk do e pranonte lehtë dështimin në klubin e vogël lombard. Ky vendim i Berluskonit, që si gjithmonë kur flitet për futbollin ka në krah një mjeshtër si Galliani është pritur me dyshime dhe skepticizëm lidhur me arsyet që do e shtynin një 82-vjeçar të futej në një botë që më shumë pranon humbjen sesa fitoren.

Operacioni i blerjes, por edhe i ringritjes së SS Monza 1912, si fillim mund t’i kushtojë deri në 18 milionë euro ish-kryeministrit italian. 3.33 milionë euro është kosto e klubit në Transfermarket. Berluskoni po tenton të blejë deri në 70% të aksioneve që mund t’i kushtojnë rreth 2.5 milionë euro. Por te kjo kosto nuk përfshihet edhe ajo e stadiumit që është në pronësi të bashkisë. Blerja dhe rinovimi i stadiumit mund të kap një shumë që shkon rreth 15 milionë euro.

Janë pesë arsyet e listuara nga mediet italiane që mund ta kenë shtyrë Silvio Berluskonin dhe Adriano Galianin që të rifuteshin në botën e futbollit dhe pikërisht me klubin e SS Monza.

Qyteti i Monzës

Stadiumi i Monza, “Brianteo”

Ndryshe nga ç’është menduar gjerësisht, Monza është një nga qytetet e veriut të Italisë me traditat më të mëdha në futboll.  Në fund të viteve 50’ dhe në fillim të viteve 60’ të shekullit të shkuar Monza kishte pasur një brez të shkëlqyer lojtarësh. Por edhe pse me tradita dhe një pasion të madh për futbollin, Monza sërish nuk ia kishte dalë që të luante në Serie A. Klubi ka qenë shumë pranë kalimin në elitën e futbollit italian, por nuk ia ka dalë dot në ndeshjet play off. Monza është parë gjithmonë si një ekip që ka qenë shumë afër me ish-pronarët e Milan. Me skualifikimet e shpeshta në raundet play-off, presidenca e Berluskonit do të kërkojë që nga Monza të largohet epiteti si skuadra e pafat dhe humbëse e rajonit të Lombardisë.

Zhvillimi i futbollit në Lombardi

Harta e rajonit të Lombardisë në Itali

Shumë janë habitur që Berluskoni vendosi të investonte te një klub si Monza, ku shumë mirë me të njëjtën shumë para “kavalieri” mund të blinte një klub në ligën e tretë të futbollit anglez dhe fitimi do ishte i garantuar. Por në këtë vendim të ish-kryeministrit italian ka edhe një arsye gjeostrategjike. Nga të gjitha qytet e tjera të mëdha të rajonit të Lombardisë vetëm Monza nuk ka një ekip të denjë futbolli. Duke filluar që nga Milano, Como, Brescia, Bergamo, Busto Arsizio, Cremona, Mantova, Legnano, Lecco dhe Varese, të gjitha kanë skuadra që luajnë në Serie A dhe Serie B. Galliani dhe Berluskoni janë të mendimit se edhe Monza i ka të gjitha mundësitë për të pasur një klub dinjitoz që luan në Serie A ose B. Kthimi i dinjitetit të qytetit të Monzës përveç një ekipi të fortë, fillon edhe nga rinovimi i stadiumit, që ish-dyshja e Milan planifikon ta kthejë të gjithin funksional. Stadiumi “Brianteo” aktualisht shfrytëzohet vetëm me 25% të kapacitetit të tij, por me kalimin në pronësi të Berluskonit dhe Galianit pritet që të 18.568-të vendet të bëhen funksionale për tifozët. Me këtë rinovim të stadiumit Berluskoni do tentojë të marrë në zotërim edhe zonat përreth, duke kërkuar që ta shndërrojë në një model anglez.

Galliani ka një histori personale

Adriano Galliani dhe Silvio Berluskoni

Ishin vitet 1975-1985, kur Galliani bashkë me ish-milanistin tjetër Arriedo Braida drejtonin Monzën dhe më pas të dy iu bashkuan Berluskonit për të çuar Milanin drejt lavdisë së madhe. Për Gallianin në drejtimin e Monza pas 33 vitesh është si një rikthim në shtëpi dhe motivet kanë të bëjnë edhe me çështjet emocionale. Nëse para tre dekadash Galliani nuk kishte as para as eksperiencë për të korrur sukses me Monza, këtë herë gjërat kanë ndryshuar. Ai është një nga emblemat e menaxherëve në futbollin botëror, pas trofeve që ka fituar me Milan, ndërsa edhe financat janë më të shëndosha kur ke në krah një njeri si Silvio Berluskoni.

Për motive politike Berluskonit i intereson rikthimi në futboll

Lidhjet e Berluskonit me politikën dhe sportin kanë qenë gjithmonë dyanëshe. Nga politika ai ka fituar pushtet, por njëkohësisht ka humbur edhe popullaritet, të cilën kishte fituar me anë të sportit. Por në sport ai ka humbur të ardhurat financiare, që politika e kishte ndihmuar t’i fitonte. Pikërisht ajo që i duhet në këto momente Berluskonit që me një investim prej 18 milionë euro mund të merrte një përfitim shumë të madh. “Kavalieri” është duke u bërë gati për zgjedhje dhe një sukses futbollistik mund ta ndihmonte shumë.

Për të nxitur edhe një herë të rinjtë të luajnë futboll

Motivi i pestë mund të duket patetik, por qëndron. Silvio Berluksoni në moshën 82 vjeçare është shumë i interesuar për të rritur të rinj italian të shëndetshëm. Berluskonin e mbajnë mend të gjithë se si reagonte kur futbollistët në Milan shkonin me stile të çuditshme flokësh, me tatuazhe apo me piercing në pjesë të fytyrës. “Kavalieri” asnjëherë nuk i ka pëlqyer sjellje të tilla. Të njëjtën gjë ish-presidenti i Milan do të kërkojë të injektojë edhe në klubin e ri që pritet të marrë në zotërim Monza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë