Analize

Pse Angela Merkel shërbeu si “amortizator” në marrëdhëniet e Erdogan me Perëndimin

Vizita e fundit zyrtar e Angela Merkel si Kancelare u rezervua në Turqi dhe jo më kot. Kancelarja në largim për një dekadë e gjysmë ka pasur një raport “special” me Erdogan, ndonëse jo gjithmonë të lehtë.

Pikërisht pragmatizmi i Gjermanisë së Angela Merkel në politikën e jashtme ka qenë ai që është akuzuar ndër vite si kupola mbrojtëse e Recep Taip Erdogan dhe praktikave të tij shtypëse ndaj kritikëve dhe medias.

Por, po këtij pragmatizmi dhe akrobacie diplomatike të Angela Merkel i faturohet edhe mbajtja e Turqisë “në shinat” e vlerave dhe standardeve perëndimore, pavarësisht qortime se qëndrimi i Ankarasë jo gjithmonë ka qenë në përputhje të plotë me këto vlera e standarde.

I gjithë ky qëndrim i Berlinit ndër vite ka shërbyer si “amortizator” në marrëdhëniet e tensionuara të Erdogan me Perëndimin. Me largimin e Angela Merkel, ky “amortizator” nuk do të jetë më. Erdogan është i pari që e di këtë. Fill pas deklaratës së ambasadorëve të 10 shteteve perëndimore që kërkuan lirimin e Osman Kavalas, një aktivist i të drejtave të njeriut, Erdogan njoftoi shpalljen “non grata” të Perëndimit.

Ambasadorët që u shpallën “non grata” janë nga 10 vende kryesore të perëndimit, që nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Spanja e deri te vetë Gjermania. Vendimi i ashpër turk nuk pritet që të kalojë në heshtje, as në Uashington dhe as në Bruksel.

Por, dilema e perëndimit në rastin e Turqisë së Erdogan mbetet ende. Nëse reagimi është i ashpër aq sa të nervozojë Ankaranë, rrezikon që ta shtyjë këtë të fundit drejt forcimit të mëtejshëm të lidhjeve me Rusinë.

Vladimir Putin do ta priste krahëhapur, pasi Turqia i shërben ambicies së tij për të dalë në Mesdhe, si dhe për ta shndërruar Detin e Zi në një qark të mbyllur për perëndimin dhe NATO-n.

Përpjekja për të ruajtur këtë balancë e kurseu Erdogan nga sanksionet e goditjet e ashpra të perëndimit kur nënshkroi marrëveshjen për blerjen e sistemeve antiajrore ruse S-400. SHBA në fakt vendosi nën sanksione disa zyrtarë të ushtrisë dhe kompanive të prodhimit të teknologjisë ushtarake turke, por nuk shkoi më tej.

Pse-ja e kësaj gjendet pikërisht te qëndrimi i Gjermanisë së Angela Merkel. Turqia është diga që mban emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Erdogan ka kërcënuar shpesh se mund ta hapë këtë ditë. Aktualisht, ajo është vendi që strehon numrin më të lartë të emigrantëve në botë, që përllogariten në rreth 7 milionë të tillë, kryesisht sirianë.

Hapja e kësaj dige do të përmbyste Europën, ashtu siç ndodhi në 2015-n dhe shumica e tyre synojnë Gjermaninë dhe më pas Anglinë. Në Berlin kanë qenë të vetëdijshëm për këtë, ndaj janë bllokuar, ose zbutur të gjitha nismat greke, të sponsorizuara shpesh nga Franca për sanksione ndaj Turqisë.

Gjermania e Merkel shkoi deri atje sa të bllokonte edhe nismën e drejtpërdrejtë të Francës për masa ndëshkuese ndaj Turqisë për rolin e saj në luftën civile në Libi dhe përplasjen me Greqinë. Sidomos me këtë të fundit, Parisi ka lidhur disa marrëveshje, madje i ka treguar edhe muskujt me “Charles de Gaul”, aeroplanmbajtësen flamur të flotës së vet ushtarake.

Çështja është se çfarë do të bëjë qeveria e re gjermane në këtë drejtim? Një ashpërsim qëndrimi sa u takon të drejtave të njeriut, ku Angela Merkel mbyllte njërin sy edhe mund të pritet nisur nga fakti, që në pushtet pritet të vijnë social-demokratët e majtë.

Por, ky ashpërsim vështirë se do të bëjë diferencën. Edhe qeveria e re do të duhet të bëjë llogaritë për të ruajtur balancat “tërhiqe e mos e këput” me Erdogan, për të mos rrezikuar që të përmbytë edhe njëherë tjetër Europën me refugjatë, apo për ta shtyrë edhe më shumë Ankaranë në lidhjen e saj me Rusinë.

Aleanca e re ruso-turke nuk shkon përkrah interesave të perëndimit, sidomos tani në një krizë energjitike, ku Turqia është rrugëkalimi kryesor sasive alternative të gazit jorus që konsumohet në Europë. Një përkeqësim i marrëdhënieve mund të çonte Erdogan drejt mbylljes së këti rubineti, që do ta çonte Perëndimin në një luftë tregtare të hapur në dy fronte, atë rus dhe atë turk.

E vetmja që do të përfitonte nga kjo situatë do të ishte Algjeria, e ndoshta edhe SHBA. Kjo e fundit mund të rriste sasinë dhe vlerat e kontratave të furnizimit me gaz të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë