Mendim

Pse “Amerika e Para” do të thotë “Europa e Bashkuar”

Nga GUY VERHOFSTADT - Një prej argumenteve kryesore të fushatës pro shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian ishte se më vete, Londra do të kishte mundësinë dhe aftësinë për të negociuar marrëveshje tregtie më të mira, edhe me vetë Bashkimin Europian.

Sipas “Brexitersave”, si ministri i Jashtëm Boris Johnson, vendet anëtare të BE-së janë shumë të përçara dhe të konsumuara nga krizat e brendshme për të mbrojtur integritetin e vet nga projekti europian. “Ka vetëm një rrugë për të siguruar ndryshimin që duam: votoni largimin nga Bashkimi Europian”, deklaronte Johnson gjatë fushatës.

Por, kur ka mbetur më pas se një vit nga “Brexit Day”, kur Brukseli dhe Londra do të zyrtarizojnë divorcin e tyre, është e qartë që përpjekjet “përça e sundo” janë shkallmuar në murin e unitetit të vendeve anëtare të BE-së. Këto vende kanë treguar një united domethënës gjatë negociatave me palën britanike. Vetë Brexit është një proces ku s’ka vend për fishekzjarre, por të paktën tregoi që Europa kur sfidohet bëhet akoma më e fortë.

Në fakt, për shumë europianë, BE është ringjallur, ngadalë, por e sigurtë. Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë dhënë shënja të forta unitedi për të shtyrë së bashku reformat brenda BE-së, për të ndryshuar e forcuar rregullat e bashkësisë dhe përballuar sfidat e së ardhmes.

Akoma më domethënëse bëhet kjo ringjallje e BE-së kur sheh se në Itali po qeveris një koalicion i çuditshëm euroskeptik dhe populizmi është rritur në të gjitha vendet e tjera anëtare. Pavarësisht kësaj, sondazhet tregojnë që BE gëzon sot mbështetjen më të lartë prej dekadash mes europianëve. Një studim i fundit tregon se nëse një referendum do të mbahej sot, 83 për qind e europianëve do të votonin pro qëndrimit në bllok dhe 60 për qind e tyre e shohin anëtarësimin në BE si një “gjë të mirë” për vendin e tyre.

Me fjalë të tjera, në kohën e populizmit, pasigurive dhe përçarjes politike brenda vetë BE-së, ka pak sinjale që Brexit shkaktoi një efekt domino, ashtu siç shpresonin e fërkonin duart euroskeptikët në përfundim të referendumit të 2016 në Britani.

Nigel Farage

Populisti britanik, Nigel Farage mund t’i pëlqejë të mendojë se suksesi i forcave populiste në Itali është sukses i filozofisë së tij nacionaliste shkëputëse, por na rezulton që populistët e kontinentit janë një soj tjetër nga ai britanik. Në anën financiare, tregjet u vunë në panik pas betimit të qeverisë së re italiane, pas zërave se kjo qeveri mund ta tërheqë vendin nga monedha e përbashkët, por sondazhet e kryera pas zgjedhjeve të marsit treguan se 60 për qind deri në 72 për qind e italianëve nuk do ta mbështesnin një votë të tillë.

Duke u qëndruar sondazheve, të fundit prej tyre tregojnë se vetëm 32 për qind e europianëve besojnë se blloku po ecën në rrugën e duhur, ndërsa 42 për qind ndajnë bindjen se BE është në rrugën e gabuar. Pra, pyetja që ngrihet nga shumë qytetarë të BE-së nuk është si të shkatërrojmë bllokun, por si ta përmirësojmë atë.

BE dështoi t’i përgjigjej me reforma të shpejta dhe efikase krizës financiare të 2008 dhe më pas edhe krizës brenda monedhës së përbashkët, por tani ka një mundësi të artë për të vepruar, sepse e vërteta është se Europa ndodhet në një realitet të rrezikshëm gjeopolitik dhe këtë bindje e ndajnë pjesa më e madhe e qytetarëve të saj.

Pas sfidës që i bëri Brexit, Europa po testohet edhe nga Donald Trump. Politikat agresive të tregtisë të ndjekura nga Presidenti amerikan me vendosjen e tarifave për çelikun dhe aluminin, si dhe dyshimet për rolin e luajtur nga rusët në zgjedhjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë kanë shtuar bindjen mes Bashkimit Europian se nuk mund t’u besohet më verbërisht Shteteve të Bashkuara.

Të gjitha këto kanë bërë që koalicioni i madh gjerman të përqafojë idenë e Macron për të reformuar BE dhe Eurozonën. Gjermanët e kanë kuptuar se vetëm BE mund të mbrojë industrinë e tyre të prodhimit të makinave, e shënjestruar gjithashtu nga tarifat dhe taksat e Donald Trump.

Nën sloganin “Amerika e Para”, Donald Trump është rikthyer tek nacionalizmi lakuriq dhe proteksionizmi ekonomik, të cilat përbëjnë një kërcënim direkt mbi rregullin ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore dhe Europa duhet të përgjigjet me “Europa e Bashkuar”.

Shënim: Autori është ish-Kryeministër i Belgjikës dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.

Burimi: Project Syndicate


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë