Politike

Pse 13 tetori nuk mund të vendosë për negociatat

Pas 30 qershorit, në të gjitha daljet publike Presidenti Ilir Meta ka përsëritur vazhdimisht ofertën e tij për zgjidhjen e krizës, duke propozuar mbajtjen e zgjedhjeve vendore, parlamentare, e madje edhe presidenciale më 13 tetor. 13 tetorin Presidenti e lexon si stacioni i fundit i vendit tonë për hapjen e negociatave.

Strukturat e reja të Bashkimit Europian do të mblidhen pak ditë më vonë pas kësaj date, ku mes temave delikate që do të disktojnë është edhe ajo e zgjerimit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Për këtë fakt, Meta vlerëson se oferta e tij për daljen nga kriza është çelësi i vetëm që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive.

Sa real është ky pretendim? A varet hapja e negociatave në 30 qershori, apo nga 13 tetori? Sa e dëmton ambicien e anëtarësimit kriza e stërzgjatur politike? Nëse kthen kokën pas, jo më larg se pranvera e këtij viti dhe numëron qëndrimet e zyrtarëve të BE-së sa i takon hapjes së negociatave për Shqipërinë, del në përfundimin se si 30 qershori, si 13 tetori ndikojnë pak ose aspak në këtë proces dhe kjo për disa arsye.

Arsyeja e parë lidhet me vetë Bashkimin Europian dhe konturet mbi të cilat u emëruan dhe po emërohen udhëheqësit e rinj në Bruksel, ku në frontet e posteve të sigurisë, emigracionit dhe zgjerimit populistët po luftojnë më fort për të mos ua lënë në dorë plotësisht forcave tradicionale. Kjo u sinjalizua që me mënjanimin e Mark Webber dhe Frans Timmermans si pasues të Jean Claude-Juncker.

Në vend të dy emrave partizanë të projektit të zgjerimit u zgjodh Ursula Von Der Leyen. Profili si ish-ministre e mbrojtjes në Gjermani e mvesh atë me prioritetin e sigurisë në BE, por pa lënë menjëanë zgjerimin. Në mes të muajit korrik dhe në kulmin e krizës politike në Shqipëri, ajo deklaronte se do të mbështeste në vjeshtë hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, pa e përmendur fare vendin tonë.

Ky nuk ishte zëri që ndante nga rruga e përbashkët Tiranën me Shkupin. Ndarja nisi që me samitin e Berlinit, para vendimmarrjes së qershorit, kur Zoran Zaev kërcënoi me dorëheqje nëse vendit të tij nuk i hapej drita jeshile.

Kjo do të thotë se Bashkimi Europian, pavarësisht rrymave populiste brenda institucioneve të tij, kur vjen puna tek zgjerimi është i gatshëm që të hedhë hapin e radhës me vendet kandidate. Por në mes qëndrojnë kushtet e përforcuara. Në të shkuarën BE ka treguar se mund të bëjë një sy qorr dhe një vesh shurdh kur vjen puna tek plotësimi i këtyre kushteve, por me rritjen e rrymave populiste tani duket se nuk ja lejon dot më vetes.

Sa u takon vetë të ashtuquajturve populistë, Shqipëria dy prej aktorëve kryesorë të tyre i ka patur në krah. Si Matteo Salvini në Itali, ashtu edhe Viktor Orban në Hungari jo vetëm që nuk e kanë vënë asnjëherë në mëdyshje hapjen e negociatave me Shqipërinë, por kanë qenë ndër mbështetësit më besnikë për vendin tonë. Pengesa e vetme për Shqipërinë kanë qenë populistët në Holandë, Francë e Gjermani, por që fatmirësisht nuk e kanë forcën e vendimmarrjes në vendet përkatëse për këtë temë.

Ndaj, të drejtosh gishtin e fajësisë nga Bashkimi Europian për çështjen e negociatave është një gjysmë e vërtetë. BE ka “fajet” e veta burokratike në këtë mes, por ato do të qëndronin plotësisht nëse më parë Shqipëria do të kishte plotësuar kontratën e nënshkruar kur mori statusin e vendit kandidat.

Mes kushteve të vendosura nga kjo kontratë është reforma në drejtësi. Miratimi dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë ishte hapi i parë dhe i shkruar. Hapi i dytë nënkuptohet mes rreshtave të progres-raporteve. “Të ndëshkohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta”. Kjo do të thotë se BE kërkon vënien para drejtësisë të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive dhe mesazhi i është përcjellë edhe Edi Ramës.

“Shqipëria po hyn në fazën kur BE thotë jepni provën që tani mund të hetohen, mund të ndëshkohen të gjithë ata që në 30 vjet nuk janë prekur me dorë. Mund të shkojnë në burg edhe presidentë, ish-presidentë, kryeministra edhe ish-kryeministra, edhe ministra e ish-ministra”, përsëriste ai vazhdimisht gjatë fushatë elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit.

Rasti i Kroacisë dhe i Rumanisë e përforcon këtë. Paralelizmi nuk mund të qëndrojë i plotë, pasi pas reformave në drejtësi dhe nisjen e ndëshkimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, këto dy vende nuk u shpërblyen me hapjen e negociatave, por me anëtarësimin në BE. Megjithatë, krahasimi qëndron për të kuptuar se çfarë kërkon BE dhe vetëm pasi ta kemi plotësuar në një masë të kënaqshme, apo minimalisht të ketë filluar ndëshkimi, mund t’i kërkojmë llogari.

I vetëdijshëm se tetori është shumë afër që drejtësia e re t’i japë këto prova Bashkimit Europian, Kryeministri Edi Rama u është kthyer deklaratave, që paralajmërojnë destabilizim të rajonit nëse procesi i hapjes së negociatave zvarritet edhe më tej, e aq më tepër nëse Maqedonisë së Veriut i hapen dhe Shqipërisë jo.

Vjeshta po vjen dhe bashkë me të edhe vendimmarrja e Brukselit të rinovuar sa i takon kësaj teme. Sinjalet e deritanishme që do të ketë, në rastin më të mirë një shtyrje tjetër me “lajkat” e zakonshme që “progres është bërë, por kërkohet më shumë progres” dhe në rastin më të keq një bllokim pa një datë të caktuar, janë dhënë të forta.

Prandaj, gjasat janë që edhe nëse realizohet 13 tetori dhe propozimi i Presidentit Ilir Meta për zgjidhjen e krizës, maksimumi që mund të arrihet është hedhja e një doze zbutjeje ndaj këtyre sinjaleve dhe jo hapja e negociatave.

Zgjedhje të lira dhe të ndershme janë baza e një demokracie, por këtë si kriter BE e konsideron të plotësuar nga Shqipëria, të paktën me standarde minimale, që në momentin kur ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Prandaj, karta e kushtëzimit të hapjes së negociatave me zgjedhjet bie.

Ato që mbeten janë vetëm detyrat e shtëpisë, që BE do t’i kontrollojë në tetor. Koha për realizimin e tyre në një masë të kënaqshme për Zysh Europën, siç e quan Presidenti Ilir Meta nuk mjafton. Por, për të përdorur sërish termat e Presidentit, “fëmijët e llastuar” të politikës shqiptare duhet të ulen dhe t’i zgjidhin këto detyra, sa nuk i ka kapur ende prej veshi zysha dhe për të mos përfunduar në ping-pongun e pritjes së negociatave pranverë-vjeshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë