Analize

A po dështon BE të kthejë shpresën tek drejtësia në Maqedoni?

Nxënësja shembullore e Bashkimit Europian në Ballkan, duket se ndodhet tanimë në një rrugë qorre pas shpërthimit të një skandali të madh në sistemin e Drejtësisë, i cili nxori zbuluar jo vetëm aferat e brendshme korruptive por edhe dështimin e BE-së për vendosjen e sundimit të ligjit në vendin fqinj.

Ky skandal ka të ngjarë të ketë implikime të gjëra edhe në vendimin për hapjen e negociatave, pasi vendet anëtare të BE-së e kanë bërë të qartë se nuk do t’i hapin derën Shkupit ose Tiranës deri sa të shohin përparime konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Dy video të publikuara nga një gazetë italiane, të cilat tregonin disa të dyshuar që largohen nga shtëpia e një biznesmeni me çantat plot me para ka përforcuar dyshimet e publikut për funksionimin e Drejtësisë ndërkohë që qeveria dhe opozita po fajësojnë njëra-tjetrën për skandalin që mori përmasa ndërkombëtare.

Sot në mëngjes në faqet e gazetës italiane “La Verita” kanë publikuar një material të ri që hedhur dritë mbi bazat e korruptuara mbi të cilat është ngritur Prokuroria Speciale në Shkup, një institucion i ngjashëm më SPAK në Shqipëri, i cili besohej se do t’u kthente maqedonasve besimin e humbur tek drejtësia.

Video e publikuar nga Gazeta Veritas, Gazeta Si, 9 gusht 2019

Prokuroria Speciale, SJO u pa si fener shprese për rikthimin e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe si një sukses i padiskutueshëm i Bashkimit Europian.

Që nga krijimi i saj, Prokuroria Speciale ka gëzuar shumë më tepër besim publik se çdo institucion tjetër shtetëror, dhe u pa si udhëheqësja e luftës kundër krimeve të së kaluarës, të lidhura me regjimin e autoritar të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Megjithatë, videot e gazetës Italiane “La Verita” ka zbuluar se institucion që duhet të ishte “rojtari” i drejtësisë është përfshië skandal zhvatjes duke i dhënë një goditje të fuqishme këtij institucioni i goditjes.

Në videon e dytë të publikuar nga gazeta italiane, biznesmeni Orce Kamçev, mik i afërt i Nikolla Gruveksi, dëgjohet duke folur me një prej të dyshuarve që i ka dhënë çantat me para për ta mbyllur hetimin e nisur kundër tij, Bojan Jovanovski, i njohur Boki 13.

Ky i fundit i kërkon shpjegim pse paratë janë me kartëmonedha 50 eurosh dhe jo më shumë, duke shprehur dyshimin se mos bëhet fjalë për ndonjë mashtrim, por Kamçev përgjigjet se në bankë nuk ka mundur të gjejë bankënota më të mëdha.

Gjatë bisedës Boki- Kamçev dëgjohet edhe një zë gruaje, e cila i thotë biznesmenit: “mos u shqetëso, çdo gjë do të jetë në rregull!”. Ky zë duket të jetë i gruas që u vendos nga Bashkimi Europian për të vënë prapa hekurave të gjithë elitën e korruptuar të Maqedonisë së Veriut, Prokurores speciale Katica Janeva.

Katica Janeva, Gazeta Si, 2019

Nëpërmjet një reagimi me shkrim, ajo e ka pranuar se zëri në bisedën e përgjuar është i saji, por thotë se nuk ka lidhje me hetimet e hapura ndaj biznesmenit të njohur. Janeva mes tjerash shprehet se detyra e një prokurori është të flasë me të gjithë të dyshuarit

“Jam e tmerruar se si veprimet e mija si prokurore po keqpërdoren. Si Prokurore, e kam për obligim që të komunikoj me të gjithë të dyshuarit, që të nxjerr prej tyre sa më shumë informacione. Nuk e kam keqpërdorur pozitën time në asnjë moment. Prokurori është gjithmonë prokuror, madje edhe kur flet në telefon me ndonjë të dyshuar”, thotë Janeva.

Por asnjë prej argumenteve të saj nuk e kanë bindur opinionin publik ose opozitën. Partia kryesore e opozitës ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Social Demokratët për korrupsion dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme. Igor Janusev, sekretari i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së, tha se videoja ofronte prova se Janeva kishte zhvatur miliona euro, dhe se dy të dyshuarit, Boki 13 dhe Kiceec janë thjesht tentakula të qeverisë ”.

Fakti që djali i Janevës ishte një nga manaxherët e shoqatës bamirëse në emrin e Boki 13 nuk bëri gjë tjetër veçse e përkeqësoi situatën e prokurores, e cila, pa pranuar ndonjë përgjegjësi, dha gojarisht dorëheqjen, por duke qëndruar në detyrë deri në emërimin e zëvendësuesit që do të vendoset nga kryeministri.

Xhemal Ahmeti, një ekspert për çështjet politike në Ballkan, thotë se Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit janë të korruptuara, po aq sa edhe Nigeria apo ndonjë vend tjetër i Afrikës, ku korrupsioni ndodh prapa maskës së lidhjeve fisnore, familjare,. “Elitat gjithmonë kanë bërë përpjekje për ta bindur popullin se ‘ata janë akuzuar gabimisht për korrupsion nga perëndimorët”, thotë Ahmeti. “Prandaj, vëzhguesit e BE dhe vëzhguesit ndërkombëtarë në Maqedoni nuk do të kenë sukses në luftën kundër korrupsionit pa largimin e këtyre liderëve. Sistemi i drejtësisë, duke përfshirë prokurorët dhe gjykatat, janë kapur nga elita politike. Politikanët përdorin pushtetin e pakufizuar të shtetit për të shantazhuar votuesit, ndërkohë që bizneset e mëdha private janë, deri në një farë mase, një zgjerim i sistemit politik”, thotë ai.

Spekulimet se kryetarja e Prokurorisë Speciale mund të ketë qenë e përfshirë në një skemë zhvatjeje, i kanë dhënë një goditje të madhe këtij organi të respektuar dikur, megjithëse disa ekspertë në Shkup insistojnë se ky skandal tregon se askush nuk është mbi ligjin. Janeva kishte heshtur që nga e hëna, kur dha papritur dorëheqjen e saj dhe Prokuroria e Përgjithshme i konfiskoi telefonin e saj për të zbuluar lidhjet e mundshme me disa të dyshuar.

Por skandali në të cilin është përfshirë Janeva ka nxitur një sërë teorish mbi funksionimin e e Prokurorisë Speaciale dhe rikthimin e shtetit të së drejtës me të cilin kryeministri Zoran Zaev është mburrur shpesh herë në skenën ndërkombëtare.

Angela Merkel dhe Zoran Zaev, Gazeta Si, 9 gusht 2019

Disa thonë se Janeva ishte ajo që fshihej prapa kësaj skeme zhvatjeje, të tjërë e konsiderojnë si viktime e pafajshme të njohjes me dy biznesmenët që u panë duke dalë me cantat plot me para. Në mungesë të saj, kolegët e saj në Zyrën e Prokurorisë Speciale, janë distancuar nga gruaja që është akoma shefja e tyre.

Ngritja e Prokurorisë Speciale ishte një nga sukseset më të mëdha të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, pasi duhej edhe të shërbente për vendosjen e shtetit ligjor dhe një demokracie funksionale që do të gëzonte besimin e shtetasve maqedonas. Si rezultat i kompromisit mes palëve, në krye të prokurorisë u emërua një gjyqtare deri atëherë e panjohur, Katica Janeva. Zoran Zaev i dorëzoi menjëherë gjithë dokumentacionin që kishte në zotërim. Në pak muaj, Janeva nisi proceset që çuan në burgosjen e shumë eksponentëve politikë, përfshirë edhe ish-kreun e shërbimit sekret, Saso Malkov, të gjithë të lidhur me qeverinë e mëparshme Ajo coi përpara gjykatës edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili ka kërkuar tanimë azil në Hungari për të shmangur dënimin me burg.

Hetimet dhe proceset gjyqësore të Prokurorisë Specilae ndryshuan krejtësisht skenën politike. Zaev arriti të zgjidhej kryeministër dhe Maqedonia e Veriut morti lëvdata ë jashtëzakonshme nga fuqitë ndërkombëtare, duke pranuar të modifikonte gjithë kushtetutën e saj në favor të zgjidhjes së konflikteve me Greqinë, duke marrë emrin Maqedonia e Veriut.

Nuk ka negociata pa luftë të ashpër kundër korrupsionit!

Megjithatë, fakti se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë “kapur” nga politikanë të korruptuar, të lidhur ngushtë me krimin e organizuar po ngrenë shqetësime të mëdha mes zyrtarëve të BE-së rreth procesit të integrimit europian në Ballkanin Perëndimor.
Si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit pritet të përmbushin standardet sociale, politike dhe të të drejtave të njeriut, si kërkesa themelore për t’u integruar në BE. Megjithatë, BE-ja po bëhet gjithnjë e shqetësuar nëse vendet e Ballkanit mund t’i përmbushin këto standarde, pasi korrupsioni është i ngulitur si në jetën shoqërore ashtu edhe sferën politike të rajonit. Cornelia Abel, eksperte e Europës Juglindore, thotë se lidhja mes politikanëve dhe krimit të organizuar në Balkan rrezikon sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit .

Edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u kërkuar udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor që të bëjnë më shumë për të luftuar korrupsionin, por thirrja e saj deri më tani nuk ka pasur rezultate.

Korrupsioni politik është një nga pengesat kryesore që ka ngadalësuar në mënyrë dramatike procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Duke pasur parasysh, se vendet e Ballkanit janë të etura për t’u bashkuar me BE-në dhe faktin që kjo e fundit është e interesuar t’i tërheqë në orbitën e saj dhe t’i distancojë nga Turqia dhe Rusia, të dyja palët duhet të marrin masa specifike për të adresuar problemin e korrupsionit.

BE-ja mund të përdorë buxhetin e saj për të ofruar investime, hua dhe qasje në tregun europian, duke e bërë kështu të pamundur të konkurrohet nga Rusia as Turqia. Në këmbim, Ballkani duhet të ndërmarrë reforma politike, ekonomike dhe sociale.

BE-ja duhet të insistojë gjithashtu për një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe, e cila do të kufizonte korrupsionin e përhapur në sferën politike të rajonit. Për këtë qëllim, BE duhet të rifillojë një prani të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë jo vetëm në Kosovë (që sapo përfundoi pas dhjetë vjetësh), por në të gjitha shtetet e Ballkanit që dëshirojnë të bëhen anëtarë të BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë