Politike

Rama: Hapja e negociatave vetëm me Maqedoninë do të destabilizojë Ballkanin!

Kryeministri Edi Rama duket se i ka dërguar një mesazh të fuqishëm Bashkimit Europian pak javë përpara vendimit për hapjen e negociatave, duke deklaruar se dhënia e dritës jeshile vetëm për Maqedoninë e Veriut do të destabilizonte rajonin.

Në një intervistë me televizionin e njohur europian “Euronews” Rama shprehet i hidhëruar që Maqedonia e Veriut është e favorizuar duke thënë se ndarja e të dyjave vendeve do të ketë pasoja negative për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë që interesi i Bashkimit Europian drejt Ballkanit duket se ka ardhur në një ndalesë, kryeministri shqiptar thotë se procesi i anëtarësimit nuk është më në duart e rajonit.

“Procesi i vendimmarrjes së Këshillit nuk bazohet në atë që bëjmë ne, por në situatën ose në dinamikën e brendshme politike të Shteteve të ndryshme Anëtare”, thotë Rama për “Euronews”. "Për ne, Evropa nuk është thjesht një proces burokratik, ose nuk është thjesht një bashkim i vendeve të zhvilluara që dëshirojmë, shpresojmë ose ëndërrojmë të bashkohemi. Evropa është ajo që ishte për baballarët themelues, para së gjithash një projekt i paqes dhe bashkëpunimit.
Por, anëtarësimi në BE është pikësynimi i Shqipërisë”, thekson kryeministri.

Jack Parrock dhe kryeministri EdI Rama, Gazeta Si, 9 gusht 2019


Gazetari i "Euronews" Jack Parrock u ul ekskluzivisht me kryeministrin Edi Rama në rezidencën verore shtetërore në qytetin buzë detit në Dhërmi. Ai shkruan nga ana e tij se përtej opinionit publik, ka ende shumë pengesa që Shqipëria do të duhet të kapërcejë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe se Rama duhet së pari të bindë Austrinë dhe Gjermaninë, të cilat sot janë kundërshtarët më të fortë ndaj anëtarëimit të vendit tonë.

“Ka fusha në të cilën institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë të punojnë: lufta e përditshme kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës që po ndryshon lëkurën”, thotë për televizionin e njohur Luigi Soreca, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Intervista e kryeministrit Rama vjen ndërkohë që një sërë ekspertësh kanë paralajmëruar se Shqipëria nuk ka të ngjarë të marrë dritën jeshile për nisjen e bisedimeve as në tetor, pasi imazhi i vendit duket se është përkeqësuar shumë pas krizës politike që ka mbërthyer vendin.
Në një intervistë me Gazetën Si, eksperti i njohur europian për Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber thotë se skenari më i mundshëm është që në tetor negociatat të hapen vetëm me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, kriza aktuale politike në vendin tonë po shërben si një argument për vende kritike si Franca dhe Holanda dhe po errëson perspektivën europiane të Shqipërisë.
Eksperti fajëson për gjendjen në të cilën ndodhet vendi të gjitha palët politike, duke i thënë Gazetës Si se qeveria nuk ka ditur si ta trajtojë krizën në vend, ndërkohë që sipas tij opozita ka treguar se është e gatshme të rrezikojë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Eksperti europian ka folur me Gazetën Si edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe skenarin për shhkëmbimin e territoreve të cilin e konsideron si ide të tmerrshme.

Florian Bieber, Gazeta Si, 9 gusht 2019

“Unë mendoj se dhënia e dritës jeshile për Maqedoninë e Veriut është mjaft e mundur, por jam skeptik për Shqipërinë, pasi rezistenca ndaj Shqipërisë është më e madhe në Francë dhe ne vendet e tjera. Për më tepër, qeveria nuk e ka trajtuar mirë krizën e muajve të fundit, krizë që dëmtoi shpresat europiane për Shqipërinë. Ndërkohë, në fund, edhe qëndrimi i opozitës ka qenë destruktiv, duke treguar se ishte e gatshme të minonte perspektivën europiane të Shqipërisë për hir të turpërimit dhe largimit të qeverisë. Sigurisht, bojkoti dhe vendimi i qeverisë për të zhvilluar zgjedhje që nuk ishin serioze minuan shanset e Shqipërisë” i tha Bieber gazetës.

"Skenari më i mundshëm është që negociatat hapen vetëm me Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë që ky do të jetë një mesazh i qartë për qeverinë dhe opozitën shqiptare për të mos rrezikuar pranimin në BE për shkak të përplasjeve të brendshme. Ndërkohë që është e vërtetë që kundërshtimi i hapjes së bisedimeve të pranimit në vende si Franca dhe Holanda është në një farë mase i padrejtë dhe i njëanshëm, mënyra më e mirë për t’u përballur me ta është që kritikët të mos japin asnjë arsye për të kundërshtuar ecurinë e vendit. Sidoqoftë, kriza politike në Shqipëri thjesht konfirmoi të gjitha stereotipet negative të këtyre vendeve. Kam frikë se për mungesën e përparimit qeveria do të fajësojë opozitën dhe anasjelltas, opozita do fajësojë qeverinë”, thekson ai për “Si”.

Bieber është një nga ekspertët me të njohur europianë për Ballkanin Perëndimor dhe është autor i dhjetëra librave dhe artikujve që lidhen me Ballkanin. Aktualisht Bieber është Koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave për Ballkanin në Europë dhe Drejtor i Qendrës për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, në Austri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë