Politike

PS e PD: Nuk ka pazare për Vettingun. Balla: Komisioni ‘Becchetti’ do të rrëzohet

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se puna për amendimin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të vettingut, që skadon në qershor të vitit të ardhshëm është duke vijuar, ndërsa u shpreh se mazhoranca do të rrëzojë kërkesën e PD për komision hetimor për çështjen “Becchetti”.

“Një amendament kushtetues kërkon një kohë minimalisht 45 ditë, por mund të shkojë dhe 60 ditë dhe si e tillë kjo do të kërkojë shumë punë. Por unë e konsideroj një çështje tepër teknike tek e cila politika duhet të rrijë larg”, tha ai.

Balla tha se shumica është e gatshme për “të qenë në mënyrë vijuese të hapur, për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë” me përjashtim të një çështjeje.

“Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen Becchetti do të rrëzohet”, tha Balla.

Balla mohoi akuzat e hedhura fillimisht nga deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi se me vettingu-n po bëhet pazar. Bylykbashi tha se PS i ka ofruar PD-së ndryshim të hartës territoriale dhe shtim të numrit të bashkive në këmbim të votës për vettingun.

“Nuk ka asnjë lloj pazari, sepse kjo është një çështje që unë e konsideroj të një rëndësie të veçantë, ku secili prej nesh, deputetëve duhet të marrë përgjegjësinë që i takon”, tha ai.

Edhe Alfred Rushaj nënvizoi se Partia Demokratike nuk ka marrë asnjë propozim nga askush për vettingun dhe do ta diskutojë këtë çështje kur t’i vijë koha.

“Ne nuk kemi marrë asnjë propozim nga askush për vetingun. Ne do të kemi qëndrim kur të kemi një propozim, të rëndësishme për ne janë interesat e shqiptarëve. Strategjitë si do të negociojmë do të paraqiten në momentin e duhur.

Ne jemi të gatshëm, e ripërsëris që nuk kemi marrë ndonjë kërkesë deri më tani, por jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje që u takojnë interesit të shqiptarëve si sistemi zgjedhor”, tha Rushaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë