Politike

PS cakton Ballën për në Venecia. Meta: Gati qëndrimi për draft-raportin

Beteja për shkarkimin e presidentit do të zhvendoset në Venecia, nga ku komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë do të miratojë raportin nëse ka pasur ose jo shkelje të Kushtetutës me dekretin e firmosur nga kreu i shtetit për anulimin e zgjedhjeve. Socialistët mësohet se do të dërgojnë numrin dy të PS-së, Taulant Ballën për mbledhjen e 11 tetorit.
Kjo është vendosur në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar i Partisë Socialiste, i mbledhur sot pa praninë e kryeministrit Edi Rama, pasi ndodhej në Paris, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit francez, Zhak Shirak.
Gjatë mbledhjes, grupi i PS-së vendosi që mazhoranca të përfaqësohet nga Taulant Balla në mbledhjen e ‘Venecias’. Ky i fundit do të mbrojë kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Meta.

Foto arkiv/ Mbledhja e Grupit te PS. Gazeta SI, 30 shtator 2019


Gjithashtu mësohet se në Venecia do të shkojë edhe kryekomisioneri i Ligjeve, Ulsi Manja. Ai do të bëjë mbrojtjen për ligjin e Pronave. Balla e Manja do të jenë më 11 tetor në Venecia. Ndërsa mësohet se s’do ketë parashtrime nga ana e socialistëve. Komisoni i Venecias do të shqyrtojë tre çështje nga Shqipëria të cilat janë nisma për shkarkimin e Presidentit, ajo për ligjin e pronave, si ligji për iniciativën e shtetasve për paraqitjen e nismave në Parlament.

Ekspertët e Venecias në takim me anëtarët e komisonit hetimor për shkarkimin e Presidentit

Kuvendi ngriti një komision të posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit. Më pas vetë kryeparlamentari Gramoz Ruçi vendosi që t’i drejtohej me tetë pyetje Venecias për të dhënë interpretimin nëse ka të drejtë presidenti të shfuqizoi dekret ose jo.
Raporti paraprak i Komisionit të Venecias cilësonte si tejkalim të kompetencave të presidentit dekretin e nxjerrë për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa vinte në dukje se kjo nuk mund të përbënte argument për shkarkimin e presidentit nga Parlamenti. Ky dokument shkaktoi jo pak përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, ku presidenti do të deklaronte se “ka kryer zero shkelje të Kushtetutës”, ndërsa socialistët do t’i kujtonin Metës qëndrimin se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nëse do të konstatohej se ka kryer shkelje të ligjit themeltar të shtetit shqiptar.


Ndërsa sipas burimeve pranë Gazeta SI mësohet se Presidenti nuk do të jetë i pranishëm në mbledhjen që komisioni i Venecias do të zhvillojë më 10 dhe 11 tetor. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi në një reagim publik bëri të ditur se “brenda javës institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publik për opinionin vendas dhe ndërkombëtar Raportin e tij për Draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias.
“Gjithmonë në vazhdim të transparencës dhe rëndësisë së çështjes në fjalë, që meriton vetëm shterim kushtetues, ligjor, profesional dhe faktik, larg çdo ndikimi politik dhe të dyshimtë. Zero shkelje të Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut! Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të gjykatës së Strasburgut për të drejtën e zgjedhjes! Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka Shqipëria nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian!”, shkruan zëdhënësi Blushi në rrjetet sociale.

Komisioni i Venevias do të njihet me raportin e vëzhguesve M. Kask, Mme McMorrow, M. Pinelli, M.Tuori et M. Varga, të cilët ishin në Tiranë dhe patën takime me presidentin Meta dhe me drejtues të parlamentit dhe të komisionit hetimor, si dhe me liderët e politikës. Gazeta Si mësohet se deri më 11 tetor, komisioni hetimor nuk do të zhvillojë asnjë mbledhje.

Agjenda e Venecias, pika 11 ku do të diskutohet mbi raportin mbi Presidentin

Gjithashtu në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së mësohet se kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Balla gjatë fjalës së tij u ka kërkuar deputetëve të PS-së që të zbresin në terren ku të ndjekin nga afër problemet në zonat e prekura nga tërmeti. Socialistët pritet të miratojnë në seancë e së enjtes edhe një rezolutë ku do të bëhet thirrje për hapjen e negociatave me BE-në. Për këtë pritet të ketë edhe një debat parlamentar për draft-rezolutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë