Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë publikisht në lidhje me draft opinionin e komisionit të Venecias duke deklaruar se është i bindur se nuk ka shkelur Kushtetutën duke lëshuar batutën se “Luani i Artë i Venecias nuk mund t’i trembet një raporti të tillë. Kreu i shtetit iu referua pikërisht çmimit të marrë këtë vit dhe i akorduar me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të tij për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, për promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare”.
Në një prononcim për Ora News, kreu i shtetit ndërkaq duke e cilësuar veten si “Luan i Artë” ka lënë të nënkuptohet se nuk i trembet raportit të komisionit të Venecias.
“Si mund t’i trembet Venecias Luani i Artë i Venecias të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurt se Luani i Artë i Venecias do të jetë deri në 24 korrik 2022. Kjo është një gjë që ka përfunduar dhe të mos merren me datën 11 tetor . Data 11 tetor nuk ekziston, ajo ekziston për ata që duan të thellojnë krizën dhe që duan të mbulojnë problemet e tjera.. Për Presidentin Meta ka vetëm një datë ajo 18 tetor. Apeli im është për zgjidhjen e krizës politike dhe të marrim shembull të gjithë nga presidenti në respektimin e Kushtetutës që janë të shenjta për mua”, deklaroi presidenti.
Sakaq kreu i shtetit theksoi se nuk e ka shkelur Kushtetutën me dekretin e nxjerrë për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. “Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si president, por edhe si institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore të Kushtetutës, pluralizmit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial”, tha ai më tej.
Sa i përket rrjedhjes së draftit paraprak të komisionit të Venecias, Meta theksoi se me stafin e tij pret të qartësohet se cilës datë është, apo do t’i paraqitet siç u publikua në media me data të ndryshme. Ai premtoi gjithsesi se përgjigja e institucionit të Presidentit do të jetë publike dhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve, të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias. “Por nuk ka asnjë shqetësim. Shqetësimi zero. Presidenti i Republikës ka kam bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të pluralizmit politik”, theksoi Meta. Ai i dha këto komente në qytetin e Krujës, ku kreu i shtetit ndodhej me rastin e festës së Ashures.
Pas publikimit të draftit paraprak të raportit të Venecias, mazhoranca, nëpërmjet ministres Elisa Spiropali i kujtoi kreut të shtetit premtimit të dhënë në një intervistë në media se do të jepte dorëheqjen në rast se do të vlerësohej se ai ka shkelur Kushtetutën me aktin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“A do ta mbajë Ilir Meta fjalën që i dha çimit.net kur u betua se “po tha Venecia e shkele, do iki vetë dhe s’merrem me e lehtë apo e rëndë shkelja”? S’besoj e mban, po që e shkeli e shkeli dhe 30 qershori u pagëzua edhe me ujin e bekuar të Venecias”, shprehej Spiropali. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla do të theksonte se tashmë pas këtij raporti mazhoranca do të vendosë masën e shkeljes nëpërmjet procesit ligjor të ndërmarrjë me ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit. Por ky qëndrim më i fundit i kreut të shtetit shihet edhe si një përgjigje ndaj kërkesës së socialistëve për të dhënë dorëheqjen.
Komisioni i Venecias në draft raportin e publikuar prej 19 faqesh ia lë në dorë institucioneve shqiptare interpretimin e shkallës së shkeljes që Presidenti Ilir Meta i ka bërë Kushtetutës me dy vendimet e tij, fillimisht për anulimin e 30 qershorit dhe më pas të caktimit të 13 tetorit si datë zgjedhore. Në bazë të këtij interpretimi, pra nëse shkelja është e rëndë mjaftueshëm për ta shkarkuar, apo jo, fillimisht Parlamenti dhe më pas Gjykata Kushtetueses duhet të vendosin për fatin e Ilir Metës në Presidencë.
“Shtyrja e datës së zgjedhjeve tejakon kompetencat e Presidentit. Është kompetencë vendimmarrëse e Kuvendit, Komisionit Hetimor dhe më tej e Gjykatës Kushtetuese që të vendosë rëndësinë e shkeljes të Kushtetutës në kushtet e cenimit të periodicitetit të zgjedhjeve”, thotë Venecia.
Si pikë e gjashtë e këtij dokumenti theksohej se “Megjithëse Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore, rrethanat që e diktuan mund të çojnë në përfundimin se akti i tij nuk mund të jetë i një natyre mjaft serioze që passjell shkarkimin e Presidentit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.