Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë miratoi pasditen e kësaj ë të mërkure, 14 maj 2026, me 114 vota pro projekt-rezolutën e përbashkët të propozuar nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike lidhur me procesin e integrimit europian të vendit.
Kreu i PD, Sali Berisha, i cili hodhi një lumë akuzash gjatë ditës se procesi i integrimit u bllokua për shkak të Belinda Ballukut, e bojkotoi momentin e votimit dhe nuk e ngriti kartonin jeshil pro rezolutës së përbashkët.
Nga opozita, i vetmi që abstenoi, ishte deputeti demokrat, Bujar Leskaj. Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ishte në sallë për shkak se dje udhëtoi drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në cermoninë tradicionale të akordimit të Çmimit të Karlit të Madh.
Teksti i saj ishte dakordësuar më herët nga të dy kampet politike, duke siguruar edhe votat e përbashkëta për miratimin në Kuvend.
Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Më herët, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se raportet e DASH dhe KE për Shqipërinë sipas saj po përdoren nga opozita për t’u pasqyruar si dështim i Shqipërisë.
Sipas Ibrahimajt, opozita përdor fragmente nga raportet të cilat i nxjerr nga konteksti që më pas të krijojë përshtypjen e regresit.
“Në thelb, për të dy raportet, qëndrimi i opozitës është i njëanshëm. Ata marrin pjesë kritike të raporteve, i shkëpusin nga konteksti, i amplifikojnë politikisht për të krijuar përshtypjen se Shqipëria ndodhet në regres ekonomik, institucional dhe politik. Kjo nuk është ajo që raportet thonë. Të dy raportet janë profesionale dhe të balancuara. Ato evidentojnë sfida në qeverisje dhe vetë qeveria nuk i mohon këto sfida. Pasja e sfidave është normale për çdo vend kandidat në BE. Ajo që bën opozita është diçka tjetër. Ajo përpiqet t’i marrë rekomandimet dhe jo t’i paraqesë ato si komente konstruktive, por si dështim i Shqipërisë”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, raportet përmbajnë një sërë treguesish pozitivë në fushën e ekonomisë çka në të vërtetë hedh poshtë pretendimet e opozitës.
“Vetë raporti që opozita e përdor si raport për të paraqitur dështimet e ekonomisë, identifikon sukseset e ekonomisë shqiptare”, tha Ibrahimaj.
Ministrja nuk mohoi edhe sfidat që evidenton progresraporti dhe tha se duhet punuar më tepër. Por, nënvizoi Ibrahimaj, nuk flitet për ngecje të procesit, vetëm për rekomandime.
Edhe zv.kryeministrja, Albana Koçiu tha se materialet e raportet serioze ndërkombëtare sipas saj shiten nga opozita si propagandë e ditës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje