Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, nga foltorja e Kuvendit mbajti fjalën e tij për atë që e cilëson çështjen më madhore kombëtare, procesin e integrimit në BE.
Ai u shpreh se marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj sipas tij nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta dhe premtuese falë punës së administratës dhe partnereve të vendit.
“Marrëdhëniet tona me BE dhe vendet anëtare nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta, më konkrete dhe më premtuese. Në bazë të kësaj marrëdhënie qëndron procesi i negociatave për anëtarësimin.
Falë punës së administratës publike, vullnetit politik të përgjithshëm në këtë vend dhe partnereve tanë europianë vendi ka avancuar siç e dinë të gjithë me një ritëm të përshpejtuar, të pazakontë.
Shqipëria e ka konsoliduar sot pozicionin e saj në një nga dy vendet pararojë të progresit të zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, së bashku me Malin e Zi. Sa herë, kudo, kur flitet për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor përmendet detyrimisht edhe Shqipëria“, tha ai.
Më tej, Hoxha theksoi se nëse ruhet i njëjti ritëm, sipas zyrtarëve europianë, vendi mund të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030.
“Zyrtarët më të lartë të BE-së, përfshirë shtetet anëtare kanë theksuar në mënyrë të përsëritur herë pas here se nëse ruhet ritmi aktual i reformave dhe i përmbushjes së standardeve, ky objektiv i anëtarësimit të Shqipërisë brenda 2030 është absolutisht i arritshëm. Natyrshëm, ministria që drejtoj ka intensifikuar dialogun politik me institucionet europiane të shteteve anëtare në funksion të këtij procesi.
Më lini të theksoj se procesi aktual është ai i shqyrtimit të raportit të Komisionit Europian dhe ky proces ndyrshe nga sa u dëgjohet as nuk është bllokuar, as nuk është ndaluar nga ndonjë shtet anëtar, përkundrazi ai ka vëmendjen dhe angazhimin maksimal nga të gjitha vendet anëtare të cilave u duhet të jemi shumë mirënjohëse për vëmendjen që u kanë kushtuar.
Duhet të theksoj gjithashtu se si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është e pranishme e as pjesë formale e diskutimeve të brendshme mes Komisionit të shteteve anëtare në grupin e punës për zgjerimin. Shqipëria, si çdo vend tjetër kandidat do të jetë në atë tavolinë vetëm kur të bëhet vetë anëtar. E siç kemi bërë gjithnjë, mendoj se duhet të jemi të duruar“, tha ai.
Ndërkohë Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi rreth të cilit vërtiten veprimi politik, institucional dhe shoqëror i çdo dite.
Balla tha se roli i opozitës është i pazëvendësueshëm ashtu si dhe i Kuvendit në tërësi si dhe bëri thirrje për rritje të diplomacisë parlamentare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje