Nga Gazeta ‘Si’- Si rrallë herë, në Parlament ndodhi një debat brenda radhëve të mazhorancës, mes Ulsi Manjës dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Debati nisi pas mbarimit të fjalimit të Berishës, i cili përmendi deputetin socialist. Ulsi Manja kërkoi fjalën për të replikuar, por për shkak të dakordësisë mes palëve për minutazhin e diskutimit për rezolutën e integrimit, Peleshi nuk ia dha fjalën.
“O Niko”… u dëgjua Manja nga salla por Peleshi iu drejtua duke i thënë se “Unë nuk jam Niko”.
Pas këtij episodi Ulsi Manja e mori fjalën rreth dy orë më vonë për të folur për draft rezolutën e integrimit në BE, duke e nisur aty ku donte të vijonte pasi Berisha i kishte përmendur takimin me Ballukun në Peshkopi.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve iu përgjigj me ironi kreut të Kuvendit, Niko Peleshi për etiketimin “Niko” që kishte përdorur më herët në seancë.
“Zoti Kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’ju përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të të kërkoja dhe ndjesën me mikrofon se të ula gradat që ke. Preferove që në vend të ndjesës publike time, të dominojë cinizmi yt me mikrofon. Dua të të kërkoj që fuqia e ndjesës edhe pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në raport me kolegët në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit”, tha ndër të tjera Manja.
As këtë herë Peleshi nuk e la pa përgjigje deputetin socialist.
“Mua nuk më lejohet të përgjigjem, sipas rregullores së Kuvendit, por fjalët tuaja do t’i studioj, mund të ndryshoj opinion, por jo sjellje”, u përgjigj Peleshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje