Nga Gazeta ‘Si’- Gazment Bardhi kërkoi llogari në Kuvend për mungesën e kryeministrit Rama në ditën kur do të diskutohet projektrezoluta për integrimin.
Kreu i grupit parlamentar të PD tha se s’mund të diskutohet për një proces me rëndësi të tillë pa praninë e Ramës, ndërsa shtoi se ky i fundit është paraqitur vetëm 2 herë në Kuvend.
Ai e cilësoi Ramën si një “kryeministër karton”, që siç u shpreh ai, vjen vetëm kur nevojitet numri i votave për miratim.
“Raportimi i Këshillit të Ministrave për integrimin është pjesë e llogaridhënies që qeveria duhet të japë në Kuvend dhe ky është një raport i Këshillit të Ministrave.
Është kryeministri që, sipas Kushtetutës, përfaqëson Këshillin e Ministrave në raport me institucionet e tjera dhe do të duhej të ishte kryeministri në seancë që të informonte Kuvendin mbi procesin e integrimit europian. Aq më shumë që ne kemi një ministër shteti përgjegjës për negociatat e BE-së, që gjithashtu sot nuk është prezent në seancë plenare. Nëse llogaridhënia bëhet me korrespondencë, po ju sqaroj se nuk funksionon kështu. Secili përgjigjet sipas përgjegjësive kushtetuese që ka përpara Kuvendit.
Nuk mund të ndodhë që ne të diskutojmë për një proces që bashkërisht, edhe në draft-rezolutën që do miratojmë, e kemi quajtur prioritet strategjik mbarëkombëtar dhe ne nuk kemi prezent në seancë kryeministrin. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë në Kuvend, që nga nisja e kësaj legjislature deri më sot ka ardhur vetëm dy herë për të votuar. Është kryeministër karton! Pra, vjen vetëm kur duhet numri përkatës për votat në Kuvend. Nuk ndodh në asnjë vend të botës”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje