Ne rrjet

Provat për shkarkimin e Trump më se të mjaftueshme!

"Provat për shkarkimin e Presidentit amerikan Donald Trump janë më se të mjaftueshme. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, duke e çuar kështu një hap përpara shkarkimin e presidentit Trump.

Sipas një raporti që u është dërguar anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, kreu i Shtëpisë së Bardhë vendosi interesat personale mbi interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Ai e bëri këtë duke u përpjekur të kërkonte ndërhyrje të huaj nga Ukraina për ta ndihmuar të rizgjidhet president në vitin 2020”, thotë raporti.

Ndërkohë presidenti Trump, i cili ndodhet në samitin e NATO-s në Londër, mohoi çdo keqbërje duke e përshkruar hetimin si një gjueti shtrigash.

Pas publikimit të raportit, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham tha se demokratët "nuk arritën të dëshmojnë plotësisht se presidenti ka shkelur ligjin" dhe se raporti "nuk pasqyron asgjë më shumë se zhgënjimet e tyre".

Raporti do të shqyrtohet nga Komiteti i Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili do të fillojë procedurat për të marrë pse jo në konsideratë shkarkimin zyrtar të presidentit Trump.

"Veprimet e Presidentit Trump kanë minuar politikën e jashtme të SHBA ndaj Ukrainës dhe kanë minuar sigurinë tonë kombëtare në favor të dy hetimeve të motivuara politikisht që do ta ndihmonin për rizgjedhjen e tij si President", thotë raporti.

Komiteti i inteligjencës votoi për dërgimin e tij në Komitetin e Ligjeve, duke i hapur kështu rrugë nisjes së seancave të shkarkimit. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të marrë pjesë në këto
seanca.

Kongresi Amerikan

Ndër akuzat zyrtare që priten të merren parasysh janë abuzimi me pushtetin, pengimi i drejtësisë dhe mashtrimi i Kongresit Amerikan.

Demokratët shpresojnë mbajnë një votim për shkarkimin e Trump në Dhomën e Përfaqësuesve përpara fundit të vitit, duke e çuar çështjen në Senatin Amerikan mbase që në fillim të janarit.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votonte pro akuzave për shkarkimin e presidentit, çështja do t’i kalonte senatit ku për shkarkimin e tij do të nevojiteshin votat e dy të tretës së senatorëve të pranishëm.

Pjesë e diskutimit është çështja nëse presidenti Trump ka shpërdoruar detyrën duke i bërë presion Ukrainës që të hetojë ish-nënpresidentin amerikan Joe Biden, një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.
Zoti Trump ka mohuar të ketë shkelur ligjin dhe ka akuzuar demokratët se kanë përdorur hetimet për të përmbysur rezultatin e zgjedhje të 2016.

Sondazhet tregojnë se amerikanët janë të ndarë lidhur me qasjen e tyre ndaj procesit për shkarkimin e presidentit Trump.

Ligjvënësit dhe publiku kanë dëgjuar dëshmi nga zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë se ndihma ushtarake ndaj Ukrainës u pezullua dhe se një takim në Shtëpinë e Bardhë i Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ishte kushtëzuar me nisjen e hetimeve nga Kievi rreth një teorie të pafaktuar se Ukraina ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të 2016-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë