Ngjarje

Protestë dhe akuza për helmimin nga uji i pijshëm para Bashkisë së Krujës: Në ujësjellës përdoren tuba nafte

Një grup qytetarësh në Krujë, kanë dalë në protestë pasditen e kësaj të shtune përpara bashkisë së qytetit për shkak të problemit me ujin e pijshëm që solli helmimin e rreth 600 personave.

Qytetarët deklarojnë se tubat dhe impianti i ujësjellësit janë tuba nafte të përdorura dhe të marra në Ballsh apo në minierat e kromit në Bulqizë dhe më pas janë montuar për ujësjellësin e qytetit.

"I gjithë populli i Krujës e di shumë mirë se janë tuba nafte dhe janë marrë në Ballsh. Shteti të marrë masa, ta verifikojnë. Janë tuba nafte të marrë lirë", thotë një qytetar.

Një tjetër shton se “me 99.9% impiantit tëë ujësjellësit i janë montuar tuba nafte”. Ai thekson se “nuk e di nëse tubat a kanë qenë të reja apo të përdorura, mund t’i kenë marrë në Ballsh. Uji na ka ardhur ngjyrë kafe. Tubat e vjetër i kanë lidhur me tubat e përdorur". “Janë tuba të marra te miniera e kromit në Bulqizë”, - shprehet një tjetër nga protestuesit.

Nga e diela e shkuar, rreth 600 persona kanë përfunduar në urgjencën e Krujës me dhimbje barku, dhimbje koke e temperature e diarre për shkak të helmimit të ujit të pijshëm.

Katër ditë kontaminimit masiv të banorëve, Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se në ujë është gjetur bakteri "Enterokokus".

Ky bakter u gjet në vetëm një depo uji, pasi Ndërmarrja e Ujësjellësit të qytetit ka pastruar dhe ka hedhur klor në depot e tjera të qytetit, pa u marrë mostrat nga ISHP-ja.

Kjo situatë u shkaktua si rezultat i ndotjes sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh, që kanë sjellë përzierje me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës.

Prokuroria e Krujës nisi hetimet në lidhje me ngjarjen, por ende nuk ka një përgjegjës. Ndërkohë furnizimi me ujë në Krujë ka rifilluar, por jo për t'u konsumuar. Qytetarët krutanë vijojnë ta blejnë ujin e pijshëm, të detyruar dhe të frikësuar nga një helmim tjetër i mundshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë