Ngjarje

Helmimi nga uji i pijshëm në Krujë, shkon në 500 numri i qytetarëve për mjekim. Në spital edhe 7 fëmijë (Video)

Në një kohë që pritet një përgjigje e analizave të ujit të pijshëm nga ISHP, edhe këtë të mërkurë janë paraqitur dhjetëra qytetarë nga Kruja në spital me shenja të helmimit.

Në fakt, sipas mjekëve, ka pasur një përmirësim të lehtë të situatës, ku nga mesdita e të martës, deri mëngjesin e sotëm, janë paraqitur në urgjencën e spitalit rreth 150 qytetarë. Fluksi në spital duket se ka pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me dy ditët e para, duke sjellë një normalizim të situatës. Aktualisht në urgjencën e spitalit po marrin mjekim vetëm 3 persona.

Sipas një mjeku të spitalit, situata është më e qetë, ndërsa të shtruar ndodhen edhe 7 fëmijë, të cilët po marrin shërbimin e duhur mjekësor.

Ndërkohë, që nga mëngjesi i së dielës, rreth 500 qytetarë në Krujë janë paraqitur në spital me simptoma helmimi, si dhimbje koke, dhimbje barku, diarre e të vjella.

Dyshimet e para ishin se helmimi u shkaktua nga uji i pijshëm, ndërsa për këtë arsye furnizimi u ndërpre që prej mesditës së të hënës.

Në një reagim zyrtar të Ujësjellësit të Krujës një ditë më parë, u tha se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës, ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

Nga ana e personelit të Institutit të Shëndetit Publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim dhe pritet dalja e përgjigjes së analizave epidemiologjike.

Ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh dje se të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë në gatishmëri dhe po kryejnë hetimet në të gjitha pistat e mundshme.

Brenda 72 orëve pritet të dalë edhe përgjigja e analizave për ujin që kanë konsumuar banorët. Deri më tani janë kryer të gjitha analizat në burime. I gjithë qyteti i Krujës furnizohet nga dy burime të cilat ndahen në 6 depo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë