Politike

Helmimi në Krujë, PD kërkon “kokën” e Artur Bushit: Krim masiv!

Partia Demokratike akuzon se janë mbi 1200 qytetarë të Krujës që janë helmuar nga uji i pijshëm në javën e fundit dhe kërkoi që rendi i ditës së seancës plenare të kësaj të enjte të ndryshojë, duke e nisur atë me diskutimet për këtë çështje.

Kërkesa u bë në seancë nga kreu i grupit parlamentar, Alfred Rushaj. Ai tha se rasti meriton një diskutim parlamentar për shkak të përgjegësive që kanë institucionet, që sipas opozitës shkojnë deri te kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi.

Por, kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se Kuvendi nuk mund të kthehet në një organ hetimor dhe të kryejë hetime penale dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës së opozitës, duke deklaruar se për çështjen janë duke hetuar organet kompetente.

Kryetarja e Kuvendit e hodhi në votim dhe me forcën e kartonëve, socialistët rrëzuan kërkesën e PD. Por, jashtë sallës së seancave plenare, PD kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.

“Kryetari i Bashkisë, Artur Bushi duhet të japë dorëheqjen. Është përgjegjësi kryesor për helmimin masiv të krutanëve”, tha deputetja e Krujës e PD, Merita Bakiu.

Alibeaj tha se mazhoranca duhe të kishte pranuar diskutimet për helmimin masiv. Ai deklaroi se vetëm nga këmbëngulja e PD, institucionet sot janë duke lëvizur për të nxjerrë përgjegjësit. “Ky është një krim masiv”, tha ai.

Përgjegjësinë te organet vendore e përcolli pasditen e së mërkurës edhe Kryeministri Edi Rama. Ai tha se detyra e Qeverisë në këtë ujësjellës u përfundua me investimin për ujësjellësin e ri dhe i ka takuar ndërmarrjes së ujësjellësit të qytetit që ta mirëmbajë atë.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet paraprakisht se shkak i helmimit të qytetarëve krutanë është bërë përzierja e ujërave të zeza me ujin e pijshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë