Ngjarje

Helmimi në Krujë, 130 persona marrin mjekim në spital. Dezinfektohet depozita kryesore e ujësjellësit

Vijon të mbetet problematike situata në Krujë si pasojë e helmimit të qytetarëve nga uji i pijshëm. Nga mbrëmja e djeshme, rreth 130 qytetarë kanë shkuar për mjekim në spital, pasi kanë pasur të vjella, diarre dhe dhimbje barku.

Pjesa më e madhe e qytetarëve, pasi kanë marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor janë larguar në banesat e tyre. Që prej të dielës, në spitalin e qytetit “Stefan Gjoni”, janë paraqitur me shenja helmimi në urgjencë rreth 600 qytetarë.

Megjithatë, kjo shifër nuk është e saktë, duke qenë se edhe drejtuesit e spitalit apo mjekët nuk kanë dhënë një bilanc të plotë.

Ndërsa pritet leja nga ISHP për të nisur furnizimin e qytetit me ujë, mësohet se autoritetet lokale kanë dezinfektuar depozitën kryesore që përdoret për ujin e pijshëm.

Qyteti i Krujës nuk është furnizuar ende me ujë nga ujësjellësi i qytetit që prej shfaqjes së këtij problemi. Një pjesë e banorëve kanë marrë ujë nga autobotet që qarkullojnë nëpër qytet, ndërsa të tjerë e kanë blerë atë.

Nga ana tjetër, Inspektoriati Shëndetësor Publik, nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare sa i përket analizave të bëra për shkakun që çoi në helmimin e qytetarëve të Krujës.

Një ditë më parë, Prokuroria e Krujës njoftoi nisjen e hetimeve, ku theksohet se është në pritje në analizave përfundimtare, edhe pse dyshimet e para janë që uji i pijshëm të ketë pasur ngarkesë bakteriale esheria koli dhe streptokoku fekale.

Prokuroria ka zbarkuar tek ndërmarrja e ujësjellës-kanalizime Krujë, ku janë marrë disa dokumente si dhe janë marrë në pyetje drejtues të këtij institucioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë