Ka ndodhur

Helmimi masiv në Krujë, nën hetim zyrtarët e Ujësjellësit dhe shefi i Epidemiologjisë

Në vijim të hetimeve për helmimin masiv në Krujë rreth dhjetë ditë më parë, Prokuroria pranë këtij qyteti njoftoi këtë të mërkurë se ka vënë nën hetim 3 persona.

Ata janë Ledio Çela, administrator i Ujësjellës-Kanalizimeve Krujë, Andi Kupa, drejtues teknik në këtë ndërmarrje dhe Ervin Karafili, shef i shërbimit të Epidemiologjisë dhe Higjienës në Krujë.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi sipas prokurorisë me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar ndotjen e ujit të pijshëm në Krujë, duke sjellë për pasojë dëmtimin e shëndetit të qytetarëve.

Të tre këta persona, po ashtu, janë pezulluar nga detyra. Në njoftim thuhet se hetimet për këtë çështje do vazhdojnë edhe më tej për të përcaktuar jo vetëm shkakun e ndotjes së ujit por edhe për të zbuluar personat të tjerë përgjegjës në lidhje me këtë ngjarje. Pas analizave të kryera nga ISHP, doli se helmimi është shkaktuar nga një bakter i quajtur “enterokok”.

Ky bakter u gjet në vetëm një depo uji, pasi Ndërmarrja e Ujësjellësit të qytetit ka pastruar dhe ka hedhur klor në depot e tjera të qytetit, pa u marrë mostrat nga ISHP-ja.

Kjo situatë dyshohet se u shkaktua si rezultat i ndotjes sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh, që kanë sjellë përzierje me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Rreth 600 qytetarë shkuan për ndihmë mjekësore në spitalin e Krujës me shenja helmimi javën e fundit të tetorit.

Qyteti i Krujës nuk u furnizua me ujë për 48 orë nga ujësjellësi i qytetit që prej shfaqjes së këtij problemi. Një pjesë e banorëve kanë marrë ujë nga autobotet që qarkullonin nëpër qytet, ndërsa të tjerë e kanë blerë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë