Ne rrjet

Protestat paralizojnë sërish Francën, anulohen qindra fluturime

Në Francë edhe Kulla Eifel është në grevë. Mijëra persona kanë dalë në protesta, duke e vënë presidentin Emmanuel Macron përballë një prej sfidave më të mëdha në mandatin e tij pesë-vjeçar. Ai përballet me valën më të madhe të grevës industriale në presidencën e tij, e cila ka çuar tanimë në pezullimin e shkollave dhe transportit publik.

Grevës, e cila filloi të enjten, iu bashkuan rreth 800,000 qytetarë nga shume profesione. Ata po protestojnë kundër planeve të presidentit Macron për të reformuar sistemin e pensionit, i cili propozon rritjen e moshë së daljes në pension për miliona njerëz.

"Greva do të zgjasë për aq kohë sa të duhet, do të ketë një fitues dhe një humbës," tha përfaqësuesi i sindikatavetë hekurudhave nga protesta në Lyon.

Protestat paralizojnë sërish Francën. Gazeta Si, 2019

Pasi bëri lëshime me vlerë miliarda euro vitin e kaluar për të qetësuar protestat e jelekverdhëve, Presidenti Emmanuel Macron po përballet tanimë me një sfidë të madhe që vë në pikëpyetje autoritetin e tij. Qeveria nuk mund të tërhiqet nga planet e saj, pasi kjo do ta dobësonte atë.

Deri me tani greva ka prekur hekurudhat, punonjësit e sektorit publik, përfshirë edhe mësuesit, forcat e rendit, punonjësit e postës, mjekët, infermierët dhe gazetarët. Ndërkohë jelekverdhët, studentët, avokatët dhe punonjësit e Air France filluan të enjten protestat në rrugë.

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në marshimet e organizuara nga jelekverdhët në të gjithë Francën në mbështetje të grevës. Sipas sindikatave të punëtorëve, rreth 250,000 persona marshuan në Paris dhe 450,000 persona morën pjesë në protestat në të gjithë vendin.

Sindikatat e Transportit Publik në Paris njoftuan se greva do të zgjaste deri të hënën, ndërkohë që sindikatat e kompanisë kombëtare të hekurudhave zgjatën grevën deri të premten. Sindikatat gjithashtu bënë thirrje për një protestë masive të shtunën.

Presidenti Emmanuel Macron publikoi një deklaratë për shtyp "duke thënë se ishte duke ndjekur situatën nga afër, me qetësi dhe vendosmëri".

Edhe pse detajet e reformës së pensioneve nuk janë njoftuar ende, ajo pritet të heqë shumë kategori nga dalja e parakohëshme dhe t'i zëvendësojnë ato me një sistem të përgjithshëm, të centralizuar. Kjo skemë duket se është kthyer në një “armë” për sindikatat.

Pesëdhjetë e një për qind e mësuesve të shkollave fillore dhe 42 për qind e mësuesve të shkollave të mesme janë në grevë edhe përgjatë ditës së sotme. Tetëdhjetë e pesë për qind e operatorëve të trenave janë po ashtu në grevë. Ndërkohë, vetëm dy nga 16 linjat e metrosë funksiononin normalisht në Paris sot në mëngjes.Qindra fluturime te Air France jane pezulluar çka ka sjellë kaos me pasagjerët, që kanë mbetur nëpër aeroporte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë