Ne rrjet

Protestat në SHBA, Trump do të nxjerrë ushtrinë në rrugë

Ndërkohë që lindi dielli perëndoi në Uashington DC, presioni mbi presidentin Donald Trump për të adresuar trazirat që kanë shpërthyer në mbarë SHBA-në u rrit ndjeshëm.

Policia amerikane qëlloi me gaz lotsjellës dhe plumba gome protestuesit, ndërkohë që marshimet vazhduan gjatë gjithë natës. Edhe pse ish-oficeri që i vendosi gjurin në qafë afro-amerikanit George Floyd u akuzua për vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje, protestuesit kërkojnë arrestimin e oficerëve të tjerë të përfshirë.

Duke e cilësuar veten si "presidentin e ligjit dhe të rendit", Trump u zotua të hënën se do të rikthejë rendin në rrugët amerikane duke përdorur ushtrinë nëse dhuna e përhapur dhe plaçkitjet nuk shuhen.

Ai paralajmëroi guvernatorët se nëse nuk siguronin në mënyrë efektive pronën dhe sigurinë në rrugë, presidenti do të citonte një ligj shekullor për të dërguar ushtrinë amerikane në të gjtiha qytetet smerikane. Dhe në Rrethin e Kolumbias, i cili është nën autoritetin federal, presidenti tashmë kishte urdhëruar ushtrinë të vendosej në rrugë.

Momentet para se presidenti të fliste, duke premtuar se ai ishte në anën e protestuesve paqësorë, ushtarët e armatosur shpërdanë protestuesit që ishin mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë.

Edhe pse ka pasur shfaqje solidariteti në mbarë SHBA-në dhe shumë policë kanë marshuar së bashku me protestuesit, manifestimet për vdekjen e George Floyd janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë javës së kaluar. Katër policë ndërkohë u qëlluan dhe u plagosën të hënën natën gjatë trazirave në St Louis, Misuri.

Shefi i policisë së qytetit, John Hayden u tha gazetarëve se "disa frikacakë qëlluan oficerët e policisë. “Falë Zotit ata janë gjallë", deklaroi ai. Protestat deri më tani kanë përfshirë më shumë se 75 qytete

Në Nju Jork të hënën në mbrëmje, dhjetëra dyqane u grabitën dhe qindra vitrina u shkatërruan. Në Çikago, dy persona u raportuan të vrarë në mes të trazirave. Shefi i policisë në Louisville, Kentucky është shkarkuar pasi oficerët e zbatimit të ligjit qëlluan mbi turmën e protestuesve, duke vrarë pronarin e një biznesi afër

Kryeministri australian Scott Morrison ka kërkuar po ashtu një hetim mbi sulmin e dy gazetarëve australianë që mbulonin protestat në Uashington DC. Kanalet muzikore dhe të famshëm janë zotuar të ndalojnë transmetimin për tetë minuta, në shenjë solidariteti me Floyd.

Protestat filluan pas publikimit të videos së zotit 46 vjeçarit në Minneapolis më 25 maj, ku oficeri Derek Chauvin u filmua duke i vënë gjurin në qafë për tetë minuta, edhe pse ai u përgjërua se nuk mund të merrte frymë.

Chauvin është akuzuar për vrasje të shkallës së tretë dhe do të dalë në gjykatë javën e ardhshme. Tre oficerë të tjerë janë larguar nga puna. Vrasja e  Floyd është ngjarja e fundit që ka ndezur zemërim të thellë për vrasjet e njerëzve me ngjyrë nga policia amerikane, e cila është prej dekadash nën akuza për racizëm. Vdekja e Floyd vjen pas vrasjeve të profilit të lartë të afro-amerikanëve Michael Broën në Ferguson, Eric Garner në Nju Jork dhe disa figurave të tjera që kanë drejtuar lëvizjen “BlackLives Matter”.

Çfarë deklaroi Trump?

Trump tha se do të mobilizojë "mijëra e mijëra" ushtarë për të mbajtur paqen nëse guvernatorët nuk e përdorin Gardën Kombëtare për t’i dhënë fund protestave të dhunshme. Ne kemi vendin më të madh në botë", deklaroi Trump. "Ne do ta mbajmë atë të sigurt."

"Të gjithë amerikanët me të drejtë u trishtuan dhe u revoltuan nga vdekja brutale e George Floydit", tha Presidenti Trump. Ai theksoi se administrata e tij është plotësisht e përkushtuar që drejtësia për zotin Floyd dhe familjen e tij të vihet në vend. "Por ne nuk mund të lejojmë që thirrjet e drejta dhe protestuesit paqësorë të mbyten nga një turmë e zemëruar. Viktimat më të mëdha të trazirave janë qytetarët paqedashës në komunitetet tona më të varfra dhe si President i tyre, unë do të luftoj për t'i mbajtur ata të sigurt. Unë do të luftoj për t'ju mbrojtur", tha Presidenti Trump

Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, mes 600 dhe 800 anëtarë të Gardës Kombëtare nga pesë shtete po dërgohen në Uashington për të ofruar ndihmë në ruajtjen e sigurisë. Ky kontigjent trupash ose tashmë ndodhet në terren ose do të arrinte në mesnatë.

Më parë, forcat e rendit shpërndanë me forcë një grup protestuesish në Kishën St. Johns Episcopal Church, e cila njihet si "Kisha e Presidentëve" dhe ndodhet afër Shtëpisë së Bardhë. Kisha pësoi dëme nga djegiet gjatë protestave të kësaj jave në Uashington.

A mund të ndërhyjë ushtria?

Sipas Aktit të Epokës së Luftës Civile, "Posse Comitatus Act", trupave federale nuk u lejohet të kryejnë operacione të brendshme të zbatimit të ligjit si arrestime, konfiskim të pronave ose kontrollime të njerëzve. Në raste ekstreme, megjithatë, presidenti mund të përdor Aktin e Kryengritjes (Insurrection Act), gjithashtu nga epoka e Luftës Civile, i cili lejon përdorimin e trupave ose Gardën Kombëtare për zbatimin e ligjit.

Zyrtarët thanë që një pjesë e Gardës Kombëtare në Uashington do të jenë të armatosur dhe të tjerët jo. Ata thanë se anëtarët e Gardës Kombëtare në Uashington nuk kanë armë jo vdekjeprurëse. Policia ushtarake që tashmë është e pranishme në qytet është pjesë e Gardës Kombëtare.

Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ka shkaktuar një numër protestash të dhunshme në shumë qytete amerikane. Kjo ishte një nga vdekjet e fundit në një seri incidentesh të ngjashme që nxitën zemërim dhe protesta kundër racizmit në mesin e forcave të zbatimit të ligjit. Incidenti rindezi zemërimin në vendin e ndarë nga pikëpamja politike dhe racore, të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, që ka goditur më rëndë afrikano-amerikanët.

Shumë qytete të prekura nga trazirat sapo kanë rifilluar disa aktivitete normale ekonomike pas masave kufizuese mbi dy mujore për frenimin e përhapjes së Covid-19, që ka vrarë mbi 104,000 njerëz dhe ka lënë pa punë mbi 40 milion vetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë