Financa Personale

Propozohet heqja e kritereve për subvencionet në bujqësi dhe blerja e mbiprodhimit nga shteti

Skema e subvencioneve në bujqësi mund të ndryshojë. Në Kuvend ka mbërritur një  propozim i Ministrisë së Bujqësisë e cili kërkon në rrit numrin e përfituesve dhe jep disa  lehtësi të reja.

Projektligji heq kufizimet që lidhet me numrin e bagëtive ose sipërfaqen e tokës. “Çdo fermer që punon tokën apo ushtron aktivitet blegtoral, bletari etj. mund të përfitojë pagesa nga subvencionet direkte pavarësisht madhësisë së fermës”-thotë ministria e Bujqësisë.

 Në propozim parashikohet që edhe kryerja e analizave e tokës dhe ujit  të bëhet me shpenzimet e buxhetit te shtetit.”Pas kryerjes së analizave do të duhet të bëhet dhe interpretimi i rezultateve për të orientuar fermerët për kulturat qe duhet te mbjellin dhe masat rehabilituese të tokës varësisht nga rezultatet e analizave”.

Do të krijohet edhe një agjenci e specializuar në varësi të ministrisë së Bujqësisë  e cila do të kryej studime dhe të monitorojë ecurinë e prodhimit, në volum dhe cilësi, dhe çmimeve.

Në raste të mbiprodhimit, për një numër kulturash të caktuara, shteti ndërhyn dhe blen me çmime tregu produktin bujqësor nga fermerët ose nga operatoret e agropërpunimit, duke stabilizuar tregun.

Sipas ministrisë së Bujqësisë çdo vit  konstatohet se kultura të ndryshme krijojnë stoqe dhe ato për shkak të mosfutjes në zinxhirin e shitjes dhe konsumit, duke u kthyer në problem ekonomik për fermerët ose ne mbete qe duhen trajtuar. Ne rastet e mbiprodhimit do të ketë masa ndërhyrëse, sipas së cilave qeveria blen produktet që me pas përdoren për shtresat në nevoje (ndihmë sociale) apo përdoren ne institucione që janë konsumatore të produkteve si kopshte, çerdhe, shtëpitë e të moshuarve dhe institucionet e vuajtjes se dënimit.

Aktualisht skema e subvencionit hartohet dhe zbatohet me baza vjetore dhe vihet re se, aplikuesit nuk përfitojnë të gjithë nga pagesat direkte edhe pse ata plotësojnë kriteret.  Sipas  porpozimet të reja subvencionimi  do të zgjas 5 vjet pasi sipas  ministrisë së bujqësisë fermerët dhe operatorët që kryejnë aktivitet bujqësor dhe agropërpunues do të programojnë më mirë shpenzimet dhe marrin angazhime, pasi janë të sigurt se qeveria do të mbështesë sektorët në të cilët ata do të përfshihen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë