Ish-ministri i Financave, Arben Malaj hedh një propozim të ri për përballimin e situatës tejet të rëndë të shkaktuar nga tërmeti, duke ofruar skemën e ushqimit me tollonave për banorët që janë të pastrehë, si dhe janë futur në skemën e mbështetjes financiare. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Malaj shkruan se “tragjedia kombëtare do të vazhdoj gjatë dhe kostot do të jenë të renda. Një këshillë praktike: Duhet pa vonesë që për të gjitha familjet dhe individët e prekur dhe që janë përfshirë në skemat e mbështetjeve financiare, të kalohet në sistemin e tollonave (food stamps - përvoja amerikane edhe pas krizës 2008)”. Kjo skemë e hedhur për ide nga ish-deputeti i PS-së mund të eliminojë burokracitë dhe ka ulje të kostove, duke shmangur edhe dhënien parave në dorë.
“Pra, vetë familjarët mund të blejnë drejtpërdrejtë ushqimet e nevojshme. Thjeshtëzohet burokracia, ulet kostoja e grumbullit dhe shpërndarjes së ndihmave fizike. Skema financiare është më transparente, familjet blejnë atë që e konsiderojnë të domosdoshme. Në qoftë se jepen para kesh për nevojat kritike nga pasiguria e të ardhmes mund të mos i përdorin, t’i ruajnë për një ditë më të keqe dhe të vazhdojnë të mbijetojnë në varfëri. Tollonat ushqimore janë letra me vlerë, janë të detyruara të pranohen nga dyqanet dhe të rimbursueshme nga zyrat e ndihmave sociale. Kjo ndihmon edhe ekonominë lokale të ringrihet, sepse paraja përdoret më shpejt”, thekson Malaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.