Sport

Propagandë politike e fetare në Olimpiadë, sportisti algjerian pezullohet 10 vjet

Jo propagandë politike dhe fetare në sport. Aq më shumë në Lojërat Olimpike. Xhudisti algjerian, Fethi Nourine, është pezulluar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për 10 vjet, pasi sportisi 30-vjeçar u tërhoq nga Olimpiada e Tokios më 23 korrik, sepse nuk pranoi të ndeshej me izraelitin Tohar Butbul.

Për këtë arsye është dhënë një dënim kaq i rëndë për Nourine dhe trajnerin e tij, Amar Benikhlef. Sportisti algjerian pohoi në atë kohë se mbështetja e tij politike ndaj kauzës palestineze ia bënte të pamundur ndeshjen me kundërshtarin izraelit. Të dy duhej të ndesheshin më 26 korrik, pas fitores së mundshme ndaj sedanezit Mohamed Abdalrasol.

Fethi Nourine, xhudisti algjerian. Gazeta Si, 14 shtator 2021

Federata Ndërkombëtare krijoi një komision për të gjykuar rastin dhe tashmë ka ardhur edhe vendimi. “Është shumë e qartë se Nourine dhe trajneri i tij, - shkruhet në komunikatën e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, - kanë përdorur Olimpiadën si platformë proteste dhe promocion të propagandës politike dhe fetare, që është një shkelje e rëndë e statutit të IJF-së, kodit etik dhe Kartës Olimpike. Në këtë rast nuk mund të ketë gjë tjetër, veçse një dënim të ashpër”.

Ndëshkimi, që është në fuqi deri më 23 korrik 2031, nuk mund të ankimohet në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit. Nuk është hera e parë që Fethi Nourine tërhiqet për të mos u përballur me një xhudist izraelit. Ka bërë të njëjtën gjë edhe në Botërorin e 2019-ës, edhe ai i zhvilluar në Tokio.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë