Lexo me "Si"

“Propaganda”, origjina dhe kuptimi i fjalës

Foto ilustruese e propagandes

Nga Gazeta Si - Sot fjala propagandë përdoret gjerësisht dhe shumë aktuale. Falë edhe tensioneve për shkak të luftës në Ukrainë, në të cilën krerët e dy fraksioneve, Putin dhe Zelensky, u përgjigjen deklaratave të kundërshtarit duke i quajtur “propagandë” pa asnjë bazë të vërtetë. Kjo fjalë ka marrë gjithmonë një rëndësi të konsiderueshme, veçanërisht në sferën politike. Propaganda, si një veprim që synon të fitojë favorin e një publiku, është një veprimtari e vjetër sa njeriu, e pranishme në çdo kohë, vend dhe dimension shoqëror. Por si lindi? Cila është rëndësia e saj?

Përkufizimi i propagandës

Sipas Treccanit, (portal i profilizuar për kulturën) propagandë do të thotë “veprim që tenton të ndikojë në opinionin publik, duke u orientuar drejt sjelljeve të caktuara kolektive dhe grupit të mjeteve me të cilat kryhet”. Termi rrjedh nga emërtimi i Kongregacionit të Shenjtë Papnor De propaganda Fide, që do të thotë “i përhapjes së besimit”. Me propagandë mund të nënkuptojmë gjithashtu atë kompleks informacioni pa asnjë bazë, të shpërndarë me mjeshtëri dhe për qëllime të veçanta. Antiteza e saj duhet të jetë ekspozimi i pastër dhe i thjeshtë i fakteve në tërësinë e tyre ose përshkrimi i realitetit në tërësinë e tij.

Origjina e fjalës

Termi propagandë lindi në një kontekst fetar kur Kisha Katolike në shekullin e gjashtëmbëdhjetë organizoi, si kundërsulm ndaj përhapjes së protestantizmit, një “Congregatio de propaganda fide”, një departament përgjegjës për përhapjen e besimit katolik. Termi nuk kishte për qëllim fillimisht t’i referohej informacionit mashtrues.

Kuptimi i tij modern daton që nga përdorimi i tij që nga Lufta e Parë Botërore. Propaganda presupozon përdorimin e komunikimit për të përcjellë një mesazh, një ide ose një ideologji: gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë është një periudhë historike shqetësuese për propagandën dhe përdorimin e saj në shoqëritë moderne, sepse kjo nuk është vetëm periudha e revolucionit të komunikimit (telegrafi, hekurudhat, mediat, etj.), por edhe e revolucionit të rolit të “publikut” në shoqëri, që evoluoi deri në shfaqjen e totalitarizmave midis dy luftërave botërore.

Disa shembuj

Gjatë historisë njerëzore, një pjesë e prodhimeve kulturore dhe aktiviteteve informative kanë luajtur gjithmonë një funksion “propagande”. Një shembull kryesor është “De bello Gallico”, i cili i shërbeu Çezarit për të rritur reputacionin e tij në Romë. Eneida e Virgjilit, krahas qëllimeve të saj estetike, kishte edhe ato “politike”, përkatësisht ekzaltimin e Romës (trashëgimtar i Trojës mitike) dhe të perandorit Octavian Augustus (i familjes Iulia, të themeluar nga Iulus, biri i Eneas).

Në Mesjetë, një nga propagandat më të famshme është ndoshta ajo e kryer nga qarqe të caktuara të shoqërisë europiane të shekujve XI, XII dhe XIII, në favor të kauzës së kryqëzatave.

Nuk është rastësi që aty rolin kryesor e ka pasur kleri i krishterë, ruajtësi i kulturës dhe rrjedhimisht i sistemit informativ dhe stërvitor të kohës.

Ndoshta një nga shembujt më të njohur është ai i James Montgomery Flagg të vitit 1917, një poster i krijuar nga reklamuesi amerikan për të thirrur ushtrinë amerikane në Luftën e Parë Botërore.

Një shembull tipik i promovimit veçanërisht të dëmshëm politik ishte propaganda naziste: përmes një përdorimi të shkathët të medias, Hitleri kishte bindur turmat për të masakruar të pafajshmit dhe kishte çuar një komb të tërë në një luftë që shkatërroi Gjermaninë dhe gjysmën e botës duke prodhuar miliona vdekje. Gjithashtu, në të njëjtën periudhë ka pasur shembuj të theksimit të motiveve të veprimit politik në Itali me Benito Musolinin.

Ndër teknikat bashkëkohore gjejmë të ashtuquajturat “fake neës”, lajme të rreme që bazohen në përdorimin e metodologjive të komunikimit që i përkasin teknikave të propagandës, pra në gjendje të bindin marrësit e mesazhit.

Në shumë nga këto teknika mund të gjenden gjithashtu të meta logjike, pasi propagandistët përdorin argumente që, megjithëse ndonjëherë bindëse, nuk janë domosdoshmërisht të vlefshme.

Marrë nga Libreriamo, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë