Lajme

Prokurori i SPAK Anton Martini në Vetting: Shtëpinë e kam blerë me dy kredi

Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, njëherësh edhe kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, është përballur sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Procesi i vettingut për Martinin është kryer nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja.
Relatorja është shprehur se deklarimi i subjektit është i saktë dhe nuk ka kryer fshehje të pasurisë.
“ILDKPKI ka dorëzuar raportin me konstatim se deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin nuk ka kryer fshehje te pasurisë, nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit. Ka një apartament banimi 97 m2 dhe garazhe me vlerë totale 90mijë euro, të arreduara 2 milionë lekë. Subjekti ka paguar 85 mijë euro dhe ka për të shlyer edhe 5 mijë euro. Dy kredi të marra për të krijuar këtë pasuri, në vitin 2007 dhe 2016 si dhe kursimet ndër vite, shuma prej 50 mijë eurosh kësti i parë i paguar në vitin 2015. Kësti i dytë prej 35 mijë eurosh është paguar në janar të 2017. Nga analiza financiare e KPK ka rezultuar se subjekti ka pasur burime të ligjshme për të arreduar shtëpinë”, është shprehur relatorja në seancën dëgjimore.
Ndërkohë, Anton Martini është shprehur se “banesën e kam blerë me dy kredi të ndryshme, pasi nuk kisha mundësi financiare për ta paguar dhe në kohen kur kam marre kredinë e parë, unë kam qenë prokuror nën mbrojtje dhe s’mund të vija në rrezik jetën e fëmijëve që të blija një shtëpi në periferi”.
Po ashtu, relatorja është shprehur se edhe “DSIK ka sjellë një raport ku thuhet se ka konstatuar përshtatshmëri për vijimin e detyrës”.
Anton Martini ka nisur punë që në vitin 1998 në Krujë, dhe në vitin 1999 është bërë prokuror në Lushnjë, dhe nga 2004 ka qenë te Krimet e Rënda. Në 2015 me një vendim të jashtëligjshëm është transferuar në Shkodër. Në vitin 2016 është kthyer sërish te Krimet e Rënda.
Prokurori Anton Martini në përfundim të seancës dëgjimore kërkon që të konfirmohet në detyrë.
Vendimi për të do jepet më 12 dhjetor në orën 10:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë