Politike

Projekt-buxheti miratohet të enjten, PS kërkon përjashtimin e ‘grupit të zjarrit’ nga seanca (emrat e 6 deputetëve)  

Partia Socialiste kërkon përjashtimin me 10 ditë nga punimet parlamentare të Sali Berishës, Gazment Bardhit  Flamur Nokës, Albana Vokshit, Elda Hotit dhe Edi Palokës si pasojë e bllokimit të seancës në fillim jave.

Me pak fjalë PS-ja synon të kalojë e qetë projektbuxhetin  nen për nen të enjten pa praninë e ‘grupit të zjarrit’ nga opozita   

Në kërkesën e firmosur nga 7 deputetë të PS thuhet se Sali Berisha zaptoi foltoren, Bardhi ofendoi deputetin socialist Petro Koçin, Edi Paloka tentoi ta godiste atë, ndërsa Flamur Noka i ndihmuar nga dy deputetet Vokshi e Hoti ndezi flakadanë.

"...Deputeti Flamur Noka ndezi disa flakadanë duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë në sallë. Njërin prej flakadanëve deputeti Noka e hodhi në drejtim të Kryetares së Kuvendit. Edhe pse drejtuesja e seancës mori masë disiplinore ndaj deputetit, ai vijoi përsëri të cenojë mbarëvajtjen e seancës plenare. Situata agravoi edhe më tej në momentin kur deputeti Noka i vuri flakën disa herë letrave dhe i vendosi tek karriget që ishin vendosur për të bllokuar foltoren, duke rrezikuar kështu jetën e deputetëve dhe të stafit në sallë.

Deputetet Elda Hoti dhe Albana Vokshi i dhanë disa herë deputetit Flamur Noka flakadanë. Gjithashtu deputetja Elda Hoti e ndihmuar edhe nga deputetja Vokshi ndezën disa flakadanë ku disa prej tyre i vendosën poshtë karrigeve mbi foltore. Deputeti Gazmend Bardhi pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke shkaktuar rrëmujë në sallë dhe përdori fjalë fyese ndaj deputetëve të Partisë Socialiste gjatë fjalës së tyre. Gjithashtu deputeti Bardhi tentoi t'i merrte kartën nga pajisja elektronike deputetit Petro Koçi gjatë kohës që po mbante fjalën. Gjithashtu pranë deputetit Koçi u afrua edhe deputeti Edi Paloka i cili tentoi ta godiste. Deputeti Sali Berisha pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke zaptuar foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar kaos në sall fyer deputetët dhe drejtuesen e seancës, sjellje këto në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë", thuhet në kërkesë.

Emrat e deputetëve që PS kërkon përjashtimin

Sali Berisha

Gazment Bardhi

Flamur Noka

Edi Paloka

Elda Hoti

Albana Vokshi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë