Politike

Programi për Durrësin, LSI: Krijimi i dy zonave të lira ekonomike, Durrësi 1-Durrësi 2

Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi programin ekonomik por edhe vizionin që kjo forcë politike ka për Durrësin.

Drejtuesja Politike e Qarkut të Durrësit, Elona Guri tha se për Durrësin, LSI propozon krijimin e Zonave të Lira ekonomike Durrësi 1 dhe Durrësi 2 me ngarkesë fiskale dhe taksa 0.

Sipas saj, ekonomia e Durrësit është sot e mbajtur peng, në duart e 3-4 individëve. “Që kjo të ndryshojë, pra që njerëzit të fitojnë, secili të marrë atë që i takon, ne duhet ta çlirojmë ekonominë nga monopolet që grupet e interesit kanë krijuar.

Ne duhet jo vetëm të nxisim investimet vendase, por duhet të tërheqim investime që krijojnë punësim dhe rritje ekonomike. Duhet ta kthejmë Shqipërinë në Shtëpinë e Investimeve, që investitorët e huaj me potencial të mos shohin drejt Maqedonisë, Serbisë apo vendeve të tjera në rajon, por le të vijnë në Durrës, të punojnë me durrsakët, të krijojnë vende pune në Shqipëri dhe të rritemi sëbashku”, tha Drejtuesja Politike e LSI e Qarkut të Durrësit.

Më tej, eksperti i LSI-së,  Eno Karapici, prezantoi në detaje projektin e Zonave të Lira Ekonomike Durrësi 1 dhe 2.

Gjatë këtij takimi folën edhe Edmond Haxhinasto dhe Monika Kryemadhi.

Kjo e fundit, jo pa qëllim, nënvizoi se pesë prioritetet e LSI-së për pesë muajt e ardhshëm të qeverisjes do të jenë të panegociueshme.

“Ne përmes 5 pikave kemi marrë angazhimin tonë, që Shqipëria të jetë jo vetëm shtëpia e investimeve, por të japë hapësira. Siç është marrë peng ekonomia e Durrësit, është marrë dhe ekonomia e të gjithë shqiptarëve”, tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë