Ekonomi

Programi PD/ Bizneset kërkojnë rimëkëmbje. Eksperti: Koncesionet nuk mund të zhbëhen

Grimcat e programit elektoral, me të cilin PD pretendon të fitojë zgjedhjet e mandej të qeverisë vendin për katër vitet vijuese, i shpalosur një mbrëmje më parë nga kreu Lulëzim Basha, janë pritur me entuziazëm nga biznesi, i cili kërkon rimëkëmbje të shpejtë. Kurse ekspertët ndalen përtej entuziazmit të uljes së taksave të premtuara nga kryedemokrati.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë

“Paraqitja e z. Basha në përgjithësi dhe përsa i përket programit ekonomik të PD ishte dinjitoze, e përmbajtur, profesionale dhe e munguar deri më tash në politikën shqiptare. Shqipëria ka probleme thelbësore me sistemin ekonomik të ndërtuar në 30 vite. Mungesa e konkurrencës, monopolet në sektorët strategjikë, kapja e shtetit dhe keqpërdorimi i investimeve buxhetore dhe keqshpërndarja e burimeve natyrore dhe financiare të vendit me PPP, privatizime dhe koncesione joefektive, janë shkaqet kryesore të rënies së sistemit. Pra problemi kryesor është përballja dhe ndryshimi thelbësor i sistemit të sotëm ekonomik që natyrisht duhet të fillojë nga ndryshimet në politikë”,shprehet për Gazetën “Si” Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria.

Mos harrojmë, vijon ai, problematikat e mëdha të kontrollit të territorit, zbatimit të ligjit dhe qarkullimin dhe pastrimin e parave të zeza.

Në lidhje me politikat fiskale, Buxhuku mendon se taksa e sheshtë dhe e ulët 9% për biznesin dhe qytetarët dhe 0.5% e xhiros për biznesin e vogël, janë të sakta dhe të nevojshme, por jo të mjaftueshme për ringritjen.

“Reformat në thelb duhet të jenë ndryshim rrënjësor i politikave ekonomike të derisotme. Këtu duhet të përfshihen diferencime të tjera fiskale ndërmejt kategorive të bizneseve që punojnë në kushtet e tregut të lire dhe tregjeve të privilegjuara. Njëkohësisht duhet të përpunohen dhe zbatohen edhe politika të reja tregtare, të tërheqjes së investimeve, etj. Qëllimi është të nxitet konkurrenca, të ketë drejtësi morale ndërmejt bizneseve, të hapen tregjet e mbyllura dhe paratë e shqiptarëve të mbeten në vend", thotë ai.

Për Buxhukun e rëndësishmë është që PD të bindë shqiptarët se propozimet e saj nuk do mbeten vetem në letër dhe përsëri mund të kemi vetëm ndrrim pushteti dhe jo mënyre qeverisjeje.

Kurse Edvin Prençe nga Pro Export Albania kërkon që cilado parti të jetë në pushtet, duhet të lehtësojë sipermarrjen nga barra tatimore sepse sipas tij është kryetemë e rimëkëmbjes nga cunami i Koronavirusit mbi ekonominë shqiptare.

Edvin Prence, Pro Export Albania

“Në këtë drejtim, cdo premtim për ulje apo heqje taksash nga forcat politike është i mirëseardhur. Gjykoj se seicila forcë politike që kërkon pushtetin në zgjedhjet e 25 prillit 2021, duhet të vijë me një platformë të qartë për shpëtimin e biznesit, në rradhë të parë atij prodhues dhe që punon për eksport dhe mban një numër të madh punonjësish në punë”, thotë Prençe.

Kurse eksperti Zef Preçi thotë se në radhë të parë programi duhet parë në letër me analziat dhe kalkulimet përkatëse, e dyta premtimi për  ndryshimin e sistemit fiskal është i domosdoshëm sipas tij pasi ka ardhur momenti që të korrektohet pas 30 vitesh.

Në këtë kuptim, argumenton eksperti Preçi, edhe Rama të vijojë të qëndrojë në pushtet, do ti duhet të korrigjojë urgjent sistemin fiskal, pasi sipas Preçit është një sistem që ka thelluar në mënyrë të tejskajshme pabarazinë duke i bërë të varfrit më të varfër dhe të pasurit më të pasur.

Zef Preçi, ekspert ekonomie

“Në thelb diskursi politik deri më tani është fushatist. Është joshës për biznesin dhe qytetarin sepse pretendon ti japë fuqi shtresës së mesme, e cila është motorri i zhvillimit të qnëdrueshëm”- thotë Preçi, por gjithë këto nuk duhet të mbeten në letër dhe mandej kur të vijë Basha në pushtet të thotë që nuk më la FMN-ja t'i zbatoj.

Përsa i përket koncensioneve, Preçi thotë se çdo kontratë shtetërore dmth e nënshkruar nga nje institucion legal shtetëror është e ligjshme, dmth krijon pasoja mbi bazën e parashikimeve në to dhe është e pamundur të anulohet përveçse me një vullnet të fortë politk.  

Të tilla, përmend ai janë edhe kontratat e PPP-ve që për disa syresh ekzsiton dyshimi i arsyeshëm se janë nënshkruar me kompani off-shre, kompani guackë, që kanë pronarë fiktiv dhe mbas tyre dyshohet se qëndrojnë oligarkë dhe/ose politikanë vendas si përfitues korruptivë prej tyre; kanë ndryshuar pronarë menjëherë mbas shpalljes “fitues” duke shkelur kriteret përkatëse; janë nënshkruar kontrata duke mos respektuar paritetin e palëve (jane bërë në favor të palës përfituese jo-shtetërore); përmbajnë kushte disfavorizuese për buxhetin e shtetit (psh kanë parashikime për pagesa edhe kur nuk ofrohet shërbimi/malli apo kur nuk ekzistojnë kushtet për sigurimin e tij), etj.  

“Këto dhe probleme të tjera që kanë identifikuar ekspertët janë në fokusin e diskursit politik të opozitës dhe kjo është diçka normale në cdo vend që aspiron të bëhet demokratik duke përfshirë edhe Shqipërinë”, thotë Preçi. Por sipas tij “anulimi i kontratave është dicka që kërkon vullnet të fortë politik (mbasi oligarkët dhe përfituesit përdorin cdo mjet joshjeje apo presioni për të ruajtur fitimet e tyre edhe duke shkelur ligjin dhe dëmtuar interesin publik); kërkon ekspertizë të përgjegjshme dhe të bazuar në përvojat e mira të botës, që nuk mungon në vendin tonë; kërkon transprencë dhe motivim të fortë të administratës publike dhe të elitës politike nga interesi publik, gjë që nuk është e lehtë për një maxhorancë ta forcojë kur është në pushtet…" "Shkurt, përtej retorikës dhe argumenteve të drejta që ekzistojnë, jane të pamundura të anullohen. Aq më tepër që për t’i dalë përpara këtij “rreziku” dhe me bekimin e qeverisë aktuale, shumica e tyre kanë ndryshuar pronësinë dhe është gati-gati e pamundur deri edhe gjurmimi i pronësisë fillestare të tyre”, thotë Preçi

Sipas tij, vetëm për shkaqe të mirëfillta dhe të përligjura ligjore dhe në kushtet e dakordësisë së palës përfituese (gjë që është gati e pamundshme, sidomos duke supozuar se kontratat e anateemuara publikisht janë korruptive, përfituesit privatë të tyre kanë parapaguar politikanët/zyrtarët që në fillim), këto kontrata do të mund të anullohen apo të rishikohen për të mbrojtur më mirë interesin publik.

Eksperti Preçi thekson se motivi për të anuluar koncesione në qeverisjen e mundshme të ardhme të PD-së, për fat të keq, janë të gjitha mundësitë që jo vetëm anulimi i njëanshëm, por edhe artikulimi i sulmeve publike apo akuzave politike të (keq)përdoret nga qarqe të interesuara të lidhura me qarqet përfituese politike të vendit që kanë shërbyer si garanci për kontrata të tilla duke penalizuar kështu buxhetin e shtetit në periudhat që vijnë sipas modeleve të njohura si Beketi, psh.

Ndërkaq, thotë ai, duhet të sqarohet për publikun se janë edhe një numër rastesh të tjera në proces që lidhen me keqqeverisjen e këtyre viteve qe investitorë të huaj, të dyshuar ose jo për korrupsion në momentin e marrjes së një license, të drejte ekskluzive të shtetit apo kontrate PPP në vendin tonë, i janë drejtuar arbitrazhit dhe po presin të penalizojnë qytetarët fatkeq shqiptarë për dobësitë institucionale dhe korrupsionn që gëlon në radhët e administiratës së sotme shtetërore.

Kreu i PD Basha premtoi se programi për të cilin tha se të është punuar prej dy vjetësh, parashikon që sistemi fiskal të bazohet në taksën e sheshtë 9%, për biznesin e vogël do të shfuqizohen të gjitha taksat, ndërsa ai do të paguajë vetëm 0,5% të xhiros vjetore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë