Politike

Basha: Taksë 9%. Për biznesin e vogël 0.5%. Ligj pronash dhe dy hetime për koncesionet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi në vija të përgjithshme pjesë nga programi ekonomik i kësaj partie. Në thelb të saj do të jetë premtimi i marrë në dy palë zgjedhjet e fundit; taksa 9%.

“Dy janë qëllimet kryesore të programit tonë politik; Të krijojmë një shtresë të mesme të shqiptarëve dhe institucionet tu takojnë qytetarëve. Shtresë e mesme janë ata që kanë 1 milion lekë të vjetra të ardhura në muaj... Taksa 9% është një angazhim tashmë, nuk është më një premtim. Ky është programi i Partisë Demokratike dhe në këtë program të Partisë Demokratike taksa e sheshtë 9% është një element thelbësor...”, tha Basha në të enjte në "Opinion", në daljen e parë publike që nga fillimi i gushtit. Për ata që paguhen 30 mijë lekë në muaj nuk do të ketë taksë.

“300 mijë lekë (të vjetra) është pa taksë. Taksa 9% do të jetët tatimi për të ardhurat personale, tatim fitimi mbi bizneset, do të jetë 9% pjesa e punëmarrësit dhe 9% pjesa e punëdhënësit për sigurimet shoqërore pra do të jetë për të tria këto”, tha ai. Për biznesin e vogël, Basha tha se do të ketë trajtim tjetër.

“Biznes i vogël së pari do të kualifikohet si i tillë çdo biznes me xhiro nën 14 milion lekë të reja në vit, apo ndryshe 140 milionë lekë të vjetra në vit. Kjo kategori do të paguajë një taksë të vetme që është 0.5% e xhiros vjetore. Asnjë taksë tjetër”.

Basha premtoi gjithashtu një ligj të ri për pronarët, duke anuluar atë aktualin.

“Ne do të hartojmë një ligj të drejtë për pronarët. Do t’i drejtohem çdo pronari, çdo trashëgimtari të pronarëve të ligjshëm, që ne nuk do të jemi në gjendje që brenda 4 viteve të zgjidhim tërësisht problemin e pronave sepse fatura financiare është e papërballueshme. Por dy gjëra ju premtoj: rikthimi i plotë aty ku është e mundur dhe krijimi i një fondi special të shtetit shqiptar të paktën sipas modelit të Kroacisë”.

Basha tha gjithashtu se  të gjitha kontratat, pa përjashtim, nga e para tek e fundit do t’i nënshtrohen hetimit  anti-mafia. “Të gjitha kontratat e koncesionit duke përfshirë kontratat e koncesionit të lidhura gjate qeverisjes sonë të mëparshme”, nënvizoi ai, por pa përmendur emra.

“Në qoftë se do të përmend sot kontratat që do të prishen, ata do t’i marrin dhe do t’u thonë: shiko ky qëkur ishte kryetar opozite na ishte vënë pas. Gjeja e parë që do dëgjosh nga unë është qe të gjitha kontratat, pa përjashtim, nga e para tek e fundit do t’i nënshtrohen testit anti-mafia. Të gjitha kontratat e koncesionet duke përfshirë kontratat e koncesionit të lidhura gjatë qeverisjes sonë të mëparshme. Kontratat korruptive janë nul dhe nga fillimi me efekt prapaveprues dhe ne do bëjmë gjithçka që e para  çdo kontratë koncesionare të hetohet dhe e dyta, aty ku paratë janë marrë me të padrejtë qytetarëve të kthehen aty ku janë marrë", tha kreu i PD.

 Ka dy lloje hetimesh, sipas tij. "I kam shpjeguar dhe më përpara, ka hetim administrativ ekzekutiv, që do të bëhet nga qeveria, jo nga partia dhe e dyta është hetimi penal. Janë 2 gjëra të ndryshme, hetimi penal të çon në burg, kurse hetim administrativ të çon në prishje kontrate, jo vetëm në prishje kontrate, po në atë projektligj  që kemi prezantuar dhe kemi përgatitur para 2 vitesh, ku ne do të përdorim mekanizmin anti-mafia, dmth në qoftë se ti zoti koncesionar nuk e justifikon dot që këto qindra miliona apo dhjetëra miliona euro i ke marrë në mënyrë të ligjshme, ti do t’i kthesh ato prapa me efekt prapaveprues”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë