Para

Programi i punësimit, çfarë dhe kush e përfiton

Strategjia e Qeverisë për të punësuar personat e dalë të papunë përgjatë periudhës së masave shtrënguese për shkak të pandemisë së koronavirusit ndahet në tre programe.

Në programin e parë për një afat 4 mujor, Qeveria merr përsipër që të ofrojë dy paga prej 26 mijë lekësh për çdo person të punësuar si pjesë e këtij programi dhe të paguajë për 4 muaj kontributet në vend të punëdhënësit.

Programi i dytë është 8 mujor. Këtu, Qeveria merr përsipër të paguajë 4 paga minimale (26 mijë lek) për punonjësin dhe 8 muaj kontribute në vend të punëdhënësit.

Programi i tretë i nxitjes së punësimit është 1-vjeçar dhe përgjatë të gjithë kësaj periudhe, Qeveria merr përsipër që të mbulojë kontributet e punëmarrësit dhe të punëdhënësit, por pa paguar pagë minimale.

Në këto programe mund të regjistrohen bizneset që janë në kërkim të punonjësve. Gjatë prezantimit të tij, Kryeministri Edi Rama tha se janë rreth 40 mijë punëdhënës të regjistruar në zyrat e punësimit.

Personat që përfitojnë nga kjo lehtësi duhet të jenë të regjistruar, ose të regjistrohen si të papunë në Zyrat e Punës dhe të provojnë se e kanë humbur vendin e tyre të punës nga data 23 mars deri në datën 10 qershor, pra gjatë periudhës kur vendi u izolua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë