Trend

Probleme të reja për “Boeing 737 Max”, ndalojnë dhjetëra avionë në të gjithë botën

Boeing po kërkon që të mbajë të ulur në tokë dhjetëra avionë “737 Max” për të zgjidhur disa probleme të mundshme elektrike në bord. 

Kjo është një tjetër goditje për kompaninë ajrore që është kthyer në shërbim disa javë pas ndalimit prej një viti e gjysmë për shkak të aksidentit të dyfishtë fatal në vitin 2018 dhe 2019-të. 

Me një shënim të shkurtër, kompania amerikane e hapësirës ajrore, ka ftuar 16 linja ajrore për të kontrolluar për probleme të mundshme me sistemin elektrik, duke verifikuar, nëse një nga përbërësit thelbësorë, është fiksuar mjaftueshëm.

Vendimet

Problemi i mundshëm, bën të ditur Boeing, është i kufizuar në një "grup specifik" të “737 Max”, pra jo në të gjitha modelet në qarkullim sot dhe se po informon linjat ajrore të interesuara, duke iu dhënë atyre indikacionet e avionëve për të kontrolluar më shumë detaje.

Kompania nuk ka zbuluar emrat e transportuesve dhe as numrin e avionëve të përfshirë, edhe pse nga ajo që mësohet, mund të jenë rreth 90.

Por ndërkohë “American Airlines” ka bërë të ditur se ka vendosur të ulë në tokë, 17 nga 41 “Boeing 737 Max” të saj, ndërsa kompania ajrore “Southwest Airlines”, me kosto të ulët, po parkon 30 nga 58 avionë, edhe pse specifikon se nuk ka pasur ndonjë problem.

Dy aksidentet

“Boeing” pastaj specifikon në të njëjtin shënim, se problemi nuk lidhet me MCAS, sistemin anti-ngecje që përfundoi në mes të hetimeve, si përgjegjësi kryesor për dy aksidentet fatale, atë të tetorit 2018 në Indonezi (avioni Lion Air, 189 të vdekur) dhe ai i marsit 2019 në Etiopi (avioni i “Etiopan Airlines”, 157 viktima): të dy avionët, të rinj, u rrëzuan me shpejtësi shumë të lartë disa minuta pas ngritjes.

Mostrat në shërbim

Sipas platformës së specializuar “Cirium”, në fund të marsit, kishte 115 “Boeing 737 Max” në shërbim në të gjithë botën që kanë kryer më shumë se 300 fluturime. 

Nëse 90 avionë të përfshirë në kërkesën për detaje teknike, rezultojnë të jenë një numër i saktë, kjo do të nënkuptojë se rreth tetë, nga dhjetë avionë, duhet të jenë të bazuar për kontrolle. 

Në Evropë deri më tani, pesë linja ajrore kanë përdorur rreth dhjetë “737 Max”: kompania polake “Lot”, ajo çeke “Smartwings”, islandezja “Icelandair” dhe dy divizionet e ndara “TUIfly” (që operojnë në Belgjikë dhe Britani).

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë