Rend dhe Ligj

Probleme me pasurinë, Vettingu shkarkon prokurorin Genci Qana

KPK, (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit), ka vendosur që të shkarkojë nga detyra prokurorin e Tiranës, Genci Qana.

Një nga arsyet kryesore të shkarkimit, kanë qenë problemet me pasurinë, por ndaj Qanës, ka pasur edhe denoncime për dosjet që ka hetuar më parë, përfshirë pushimin e hetimeve për një aksident me vdekje në punë.

Më 9 mars, në seancën dëgjimore, prokurori Qana u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me dyshime mbi burimin e ligjshëm për disa prej pasurive të tij.

Prokurori i Tiranës, rezultonte me një bilanc negativ me 1.4 milionë lekë për periudhën deri në vitin 2003 dhe me mbi 2 milionë lekë nga viti 2003, deri në vitin 2016.

Nga relatimi, rezultoi se KPK nuk kishte konsideruar të ligjshme, një hua 5 mijë euro dhe 730 mijë lekë të tërhequra nga llogaritë bankare për blerjen e një makine për 14 mijë euro në vitin 2012, duke krijuar një minus prej 1.7 milionë lekë në burime të ligjshme.

Qana, karrierën e ka të përqendruar në Tiranë, në fillim tek Krimet e rënda dhe më pas në Prokurorinë e Shkallës së Parë.

Në këtë prokurori, ai ka mbajtur edhe postin zv.drejtuesit dy herë dhe një herë postin e drejtuesit, pas shkarkimit të Dritan Rreshkës nga Vettingu.

Ai ka qenë numri dy i Prokurorisë së Tiranës në kohën që organi i akuzës drejtohej nga Ina Rama dhe ka marrë sërish të njëjtin post, në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Arta Marku.

Vendimi i shkarkimit, u dha nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me anëtare Etleda Çiftja dhe relatore Xhensila Pinen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë