Ne rrjet

Problem i ri për një avion qeveritar gjerman. Ministrja Baerbock mbetet në tokë, tonelata karburant hidhen në det

Një incident i ngjashëm ndodhi në vitin 2018 me kancelaren Angela Merkel. Avioni shtetëror i ministres së Punëve të Jashtme gjermane, u detyrua të bënte një ulje emergjente në Abu Dhabi. Përpjekja për t'u ngritur përsëri dështoi dhe ajo u zemërua, pasi duhej të anulonte vizitën e saj në Indo-Paqësori. Ndërkohë Berlini njofton daljen në pension të avionit “A-340” që punon prej më shumë se 20-vitesh

Gazeta Si - “Indo-Paqësori do të formësojë me vendosmëri rendin e ri botëror të shekullit të 21-të”, shkroi dje ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke nënvizuar rëndësinë e udhëtimit të saj në rajon.

Një mision në Australi, Zelandën e Re dhe Ishujt Fixhi, i organizuar prej disa kohësh, por fluturimi shtetëror e la ministren në tokë as në gjysmë të rrugës dhe ajo e tërbuar e gjeti veten të detyruar të anulonte vizitën.

Dështimi i përsëritur teknik brenda pak orësh, nxiti zemërimin: ajo u largua nga Berlini të dielën, një problem me kapakët e avionit “Airbus A340” të vjetër, e detyroi atë të ndalonte menjëherë në Abu Dhabi.

Pas një kontrolli, fluturimi u riplanifikua për të nesërmen, por më pas përpjekja për ngritje dështoi, problemi ishte larg zgjidhjes dhe në të dyja rastet, aeroplanit iu desh të hidhte tonelata karburant në det për t'u ulur në siguri (pikërisht asaj, lideres ambientaliste në Gjermani duhej t’i ndodhte...).

Në mungesë të fluturimeve komerciale që mund ta çonin atë dhe ekipin e saj në destinacionin e tyre në orar, ministrja u detyrua të bënte një anulim përfundimtar.

“Ne kemi provuar gjithçka: për fat të keq është e pamundur logjistikisht të vazhdoj udhëtimin tim në Indo-Paqësor pa avionin me defekt. Kjo është përtej bezdisjes", - shkroi Baerbock në Twitter.

Siç raporton “Tagesschau”, delegacioni i Baerbock duhej të bënte një zgjedhje të vështirë. Mediat gjermane komentojnë prej dy ditësh mungesën e besueshmërisë së fluturimeve shtetërore, duke folur për poshtërim" për Berlinin: sepse "rrezikon të diskreditojë reputacionin e Gjermanisë për sa i përket aftësive teknike".

Por edhe sepse nuk është incidenti i parë “i turpshëm” që ka ndodhur me avionët e shumtë në flotën qeveritare. Tashmë majin e kaluar, Baerbock ishte bllokuar në Katar për shkak të një avarie të avionit të saj.

Në vitin 2018, i njëjti aeroplan “Airbus” pësoi një problem teknik që detyroi kancelaren e atëhershme Angela Merkel të anashkalonte hapjen e samitit të G20 në Argjentinë.

Më herët atë vit, Olaf Scholz - në atë kohë ministër gjerman i Financave - u bllokua në Indonezi, pasi brejtësit kishin ngrënë kabllot e atij avioni.

Ministria e Mbrojtjes së Berlinit, nxitoi të minimizonte atë që ndodhi, duke theksuar se avioni në fjalë është "në nivelin teknik të një kompanie ajrore me reputacion".

Në çdo rast, bëhet fjalë për avionë që së shpejti do të zëvendësohen. “Mund t’ju ​​them se “A340”, do të çmontohet nga shtatori i ardhshëm deri në fund të vitit 2024”, konfirmoi zëdhënësja e ministrisë.

Me pak fjalë, dalja në pension e “A-340-ve” mbi 20-vjeçarë, është afër: në veçanti, ai i të dielës duhet të kishte bërë udhëtimin e tij të fundit.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë