Ne rrjet

Pro studentëve të protestës së dhjetorit 2018

Nga Shpresa Delija* - “Jam student”, pasi jam koleg me të gjithë studentet e mi dhe me ish-studentët e mi që tashmë janë mësimdhënës të denjë, por që në krye kanë drejtues mediokër dhe plotësisht të politizuar dhe aspak profesionistë.

“Jam student”, pasi dashuria dhe përkushtimi ndaj profesionit të mësuesit më ka bërë që jeta ime të jetë e lidhur me studentin dhe mësuesin.

“Jam student”, pasi nga diskutimet me studentët e mi ka kolegë të mi që i fyejnë apo i kërcënojnë me notë, madje edhe duke bërë parashikime cinike, ku që në leksionin e parë të vitit të parë në universitet studentët kërcënohen se nga 100 veta në leksion, vetëm 5% ose 10% e tyre mund të kalojnë vitin e parë, lëndë, e cila bëhet gangrenë për studentin deri dhe në braktisjen e studimeve. Ky kontingjent pseudopedagogësh më ka përdhosur dinjitetin dhe figurën time si pedagog, të cilën e kam të shenjtë dhe e ruaj me fanatizëm.

“Jam student”, pasi për herë të parë në jetën time si mësimdhënëse (prej 41 vjetësh) ndeshet arroganca e shfrenuar deri në shkelje të ligjit të arsimit të lartë dhe askush nuk përgjigjet për këto shkelje që shkojnë deri në shkelje financiare.

“Jam student” që reformat në arsim të jenë në funksion të zhvillimit të dijes dhe kërkimit shkencor dhe jo thjesht mësim për mësim, ose ku në shumicën e rasteve studentët rrinë gjithë ditën në universitet, duke pritur me orë të tëra pedagogun, dhe kur për ironi të fatit shfaqet pedagogu në 10-minutëshin e mbarimit të mësimit, plotëson regjistrin, duke u vënë mungesa studentëve dhe si rrjedhojë nuk i fut në provim.

“Jam student” ku kërkoj biblioteka fizike dhe digjitale ku të hulumtoj dhe të bashkëpunoj me studentët dhe kolegët e mi.

“Jam student” ku kërkoj orar mësimi në funksion të studentit dhe ku pedagogu të jetë në funksion të studentit, dhe jo studenti në shërbim të pedagogut.

“Jam student” ku kërkoj të jem në kushte të barabarta me pedagogun për sa i përket etikës, sjelljes dhe respektit ndaj studentit tim.

“Jam student” që të trajtohem si duhet nga administrata në universitet dhe jo të trajtohem si njeri i rrugës apo i dorës së dytë.
Studentë të dashur,
Ju kërkoj ndjesë për gjithë këto trazira që u kam sjellë unë pedagogu juaj, dhe prandaj sot, me kurajë civile përulem ndaj protestës Tuaj të drejtë!
Kauza juaj është në të mirën dhe përmirësimin e punës sime si pedagog, shef departamenti, dekan, rektor, senat, bord administrimi dhe administratë.
Studentë të dashur, ju dua shumë dhe vazhdoni rrugën e nisur, pasi ne pedagogët, edhe pse e kundërshtuam ligjin e arsimit të lartë, edhe pse nuk u dëgjuam me sugjerimet tona, nuk gjetëm kurajën t’i tregonim politikës se ajo nuk mund të vendosë mbi fatet e askujt pa vullnetin tonë.
Në tubimin e ditëve në vijim këndoni këngën e Scorpions “The Wind of Change” dhe qëndroni të palëkundur ndaj ndërhyrjeve politike.
Jam e bindur se qeveria dhe e gjithë klasa politike do reflektojë në të mirën e këtij vendi.
Shpresa vdes e fundit!
Protestoni me lule dhe me librin në dorë!
Larg provokimeve!
Larg pedagogëve!
Ju bëni diferencën!
Ju jeni ndryshimi i së sotmes!
Ju jeni e ardhmja e këtij vendi!

*Shpresa Delija ka qenë zëvendësdekane Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe ish-presidente e ELTA (English Language Teachers of Albania).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë