Politike

PS kërcënon PD: Burg po prishët zgjedhjet. Rama: Saliu themeloi “Bindjen” e Patozit

Protesta për bllokimin e rrugëve të opozitës, krijimi i “Bindjes Demokratike” dhe kërcënimi se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor; ishin çështjet që dominuan sot seancën e Parlamentit.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë për të mbajtur zgjedhjet e 30 qershorit, pavarësisht kërcënimeve të opozitës. Rama gjithashtu mohoi akuzat se i ka dhënë një dorë të mirë ndihme Astrit Patozit për të formuar partinë “Bindja Demokratike”. Ai ironizoi këto akuza dhe gishtin e autorësisë e drejtoi sërish nga kampi opozitar.
“Na doli tani se unë paskam formuar ‘Bindjen Demokratike’?! Pse jo Saliu?! Ku ndryshon Patozi nga Saliu dhe Luli?! Ata merrnin pjesë në aferat e qeverisë, Astriti vinte këtu me duar në xhepa dhe u bënte avokatin. Patozin e futi Saliu në zgjedhje! Një çun për rrugë dhe një për zgjedhje. Çfarë hoqëm ne me PD, pse na u dashka të krijonim një PD tjetër tani?!”, deklaroi ai.
Sali Berisha nuk e ka komentuar ende partinë e re të Astrit Patozit dhe ky fakt lexohet si sinjal nga ana e Edi Ramës se pas formimit të kësaj partie qëndron vetë paraardhësi i tij.
“E keni dëgjuar Saliun?! Nuk thotë asgjë për Astrit Patozin. Zgjedhje e lirë thotë, pra zgjedhje Bindja Demokratike. Pra, një copë SHQUP e kemi në garë, një copë SHQUP në rrugë! Një copë SHQUP, ajo që nuk e do Monikën e kemi në garë dhe copa që do Monikën është në rrugë”, vijoi Rama.
Kryeministri “mori në mbrojtje” deputeten e PD-së, Rudina Hajdari. “Me zonjën Hajdari bëjnë të njëjtën gjë që bënin me të atin e zonjës Hajdari. A harrojnë çfarë i bënte Baca (Sali Berisha) Azem Hajdarit sa herë që përplasej me të?!”, u shpreh ai. Rama jo vetëm që u shpreh i bindur se zgjedhje më 30 qershor do të zhvillohem, por i kujtoi opozitës kodin zgjedhor dhe atë penal nëse vendos që ta pengojë këtë proces. “Pengimi i zgjedhjeve dënohet 1-5 vite burg, falsifikimi i materialeve zgjedhore dënohet 1-5 vite burg, dënimi i materialeve zgjedhore dënohet 6 muaj deri 7 vite burg, korrupsioni 1-5 vite burg, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje për të votuar apo jo dënohet me 6 muaj deri në 3 vite. Kanosja që i bëhet vëzhguesit 1-4 vite burg, 2-5 kur është në bashkëpunim, se këtu është bashkëpunimi i madh, këta duhet ta dëgjojnë. Pengimi i zgjedhjeve për të votuar personi dënohet 1-5 vite dhe 3-7 vite kur bëhet në bashkëpunim. Nëse në Shqipëri ka budallenj të përballen me këtë ligj të votuar nga PD kur ishte në pushtet dhe PS kur ishte në opozitë, për hatër të Lulit apo pse filxhani nuk e ka nxjerrë akoma qartë, prandaj duhet ta bëjmë një rrëmujë që të përzihet llumi i filxhanit dhe kushedi "E"-së i këputen dy krahë dhe bëhet "L", le të shkojnë.”, shtoi kreu i Qeverisë.

Rama duke folur sot në Parlament


Akuzat për shitblerje votash, Kryeministri i cilësoi hipokrizi, sidomos kur ato shqiptohen nga LSI.“Të them të vërtetën, në zgjedhjet e 2017 ne një problem kishim: si do i ruajmë nga fallxhorja (Monika Kryemadhit). Kur është diskutuar nuk kemi pasur problem PD-në, por simotrën tonë LSI-në. Bëjeni provë të rrijë LSI një turn pushim dhe shikojeni që nuk ka as blerje dhe as shitje votash, se nuk ka kush i blen dhe i shet. Bëjeni pra! Do të shpëtojmë Shqipërinë nga blerja e votave.”, tha Rama.
Kryeministri nuk kurseu as batutat e tij në lidhje me aleatët e PD-së, të cilët disa ditë më parë firmosën marrëveshjen politike për të mos hyrë në zgjedhje.
“Fatmir Mediu i cili hyn në çdo parlament si xhep fallco i Saliut. Eshtë gjithmonë aty tek lista e PD-së edhe thotë partitë fantazëm nuk mund të marrin peng demokracinë, ndërkohë që, Fatmiri, Dashi, Nardi, dhe Qirje Vangjeli do të sakrifikojnë që demokracia mos të merret peng, bashkë me partitë e tyre, katër kryetar që zihen se kush do paguajë shoferin e furgonit dhe dy vende bosh për pasagjerët që gjejnë rrugës dhe thonë, ne kemi firmosur koalicionin e fitores për mos hyrje në zgjedhje”, u shpreh Rama.

Reagimi i Hajdarit dhe replika e kryeministrit
Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari reagoi ndaj fjalës së kryeministrit, duke theksuar se këtu tregoi përralla me mbret, pasi përgjegjësi për këtë situatë është jo vetëm PD sipas saj, por edhe PS-ja.
“Të dalësh të flasësh përralla me mbret e të japësh histori e batuta, kjo është për të ardhur keq. Është ky km që thotë hajde debatojnë ide. Ku i keni idetë. E morëm vesh, ata kanë pasur eksperiencën e tyre, problemet e tyre, janë provuar e shqiptarët s’i kanë besuar. Ato zgjedhje ishin legjitime jam dakord. Pse? Sepse firmosën të gjithë, dhe erdhën pas dy vitesh e thanë të kundërtën. Po të thuash jemi në kushte për zgjedhje të lira, nuk jemi. Me marrëveshjen e 2008 ju e shitët Shqipërinë. E mbrojtët atë marrëveshje se do kishit përfaqësues më të denjë. Më atë marrëveshje, a më thoni dot sot se keni deputetë më të denjë, veç se ju binden e qeshin me batutat tuaja. Nuk shikoj ndryshim tjetër”, deklaroi Hajdari. Ajo e cilësoi si një javë vendimtare ditët që vijnë, pasi do të tregohet nëse do të ketë ndonjë shtet të konsoliduar ose jo.

Rudina Hajdari gjatë replikës me kryeministrin në Parlament


Kryeministri Edi Rama është përfshirë në replika të forta me deputeten demokrate Rudina Hajdari gjatë qëndrimit sot në Kuvend. Në fjalën e tij, Rama i kujtoi marrëveshjen e 2009-ës duke e argumentuar si arsyen pse ajo është pjesë e Kuvendit.
“Zonja Hajdari e kam dëgjuar shpesh këtë mënyrën e të ironizuarit me batutat dhe humorin dhe dua t’ju sugjeroj të lexoni Mark Twan thotë gjëra shumë të bukura për ju. Ajo që thotë është që humori është e vetmja armë për t’iu kthyer brutalitetit pa rënë në brutalitet. Nuk mendoj se njerëzimit mund t’i ketë ardhur ndonjë e keqe nga humori. Tani mund t’u përgjigjem me radhë disa pyetjeve tuaja. Po të mos ishte marrëveshja jonë e 2009, nuk do ishim në parlament as ju dhe sa ministret e qeverisë”, theksoi Rama.
Më tej kryeministri i kërkoi demokrates Hajdari të mos i besojë deklaratave të lëshuara nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

“A ka sot Shqipëria zgjedhje të lira? Po, ka prej vitesh. Nëse zgjedhjet do të ishin kaq problematike, partnerët e huaj do ishin kaq larg realitetit? Si mendon? Do ti jepej rekomandimi pozitiv pa kushte që vjet? Ju ka tërhequr vëmendje humori im dhe jo këngët me libër shpije që janë kënduar në këto dy vite?! Dhe tu thuash deputetëve që ju s’keni dinjitet kur kryeministri bën një batutë, nuk është elegante… Ju jap një këshillë, mos e merrni seriozisht as partinë që latë as Bashën, dhe qeshni dhe ju se do ndiheni më mirë dhe do shihni më larg…”, e mbylli fjalën Rama.

Prishja e zgjedhjeve, PS paralajmëron PD me burg

Prishja e procesit të 30 qershorit si një nga opsionet e PD-së dhe aleatëve të saj sjell reagimin e fortë për të mazhorancës, duke i kujtuar atyre se nëse cenohet një gjë e tillë në ditën e zgjedhjeve do të ndëshkohen me burg.
Paralajmërimi erdhi sot në seancën e Parlamentit nga ana e kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili renditi nenet e Kodit Penal ku shkelësit apo dhunuesit do të ndëshkohen deri me 8 vite burgim.
“Dua t’ju kujtoj sot se kush hakërret në sheshe apo dhe në rrugë se nuk do të zhvillohen zgjedhje duhet ta dijnë se në Shqipëri nuk ka njerëz se nuk ka njerëz që i shkojnë prapa Lulit apo Saliut. Sipas nenit 326 Koi Penal dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet kush dëmton fletët e votimit apo kutitë e votimit dhe listat e zgjedhësve. Ndërsa nëse kanë sjellë dëmtime serioze dhe çon në pavlefshmëri të procesit zgjedhir dënohen nga 3 deri në 8 vite burgim. Zgjedhjet nuk janë as të PS-së dhe as të PD-së. Nuk ka më budallenj që dëgjojnë as Lulin e Monikën, nuk ka më që të dëgjojnë ata. Zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen, neni 330 i Kodit Penal, pengimi i zgjedhësve është më i rëndë se sa është ai që përmendëm”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit të mazhorancës ka përmendur gjithashtu për herë të parë edhe emrin e partisë "Bindja", duke theksuar se drejtuesi i ri i saj Astrit Patozi nuk ka pse të flasë për partitokraci, pasi për 8 vite ka qenë nënkryetari i Partisë Demokratike. Ndërsa ka hedhur poshtë idenë se kjo parti e re është krijuar me mbështetjen e PS-së.
“Qesharake të duket kjo historia që nënkryetari i PD Astrit Patozi sulmon sistemin politike në këtë vend për partitokraci. Astrit Patozi ka qenë kryetari i grupi të PD për 8 vjet i ka pasur mundësi ta ndryshojë partitokracinë nëse do të kishte dashur. Ju nuk keni faj, por partisë nënë thojini që Astrit Patozi është i tyre, jo i yni. Si mund të mbështesim ne kundërshtarin tonë ?! Ku e dimë ne që nuk është lojë e Berishës kjo e Astrit. Dështoi Luli, ka futur Astritin. Puna juaj nuk është puna jonë”, deklaroi Balla. Ndërsa theksoi se nëse ka ndonjë parti që ka ushtruar shitblerjen e votës ajo është Lëvizja Socialiste për Integrim. “Partia nga ju vini si pjesë e listës ka damkën më turpshme për blerjen e votës”, theksoi Balla.

Balla duke folur në Parlament


Ndërsa deputetja e PD-së, Rudina Hajdari u shpreh se do të bëhet gjithçka për të realizuar ndryshimit të Kodit Zgjedhor, si pjesë e reformës zgjedhore. Ndërsa vlerësoi negociatat me PS-në, e cila ka pranuar të amendojë punën e komisionit të reformës, duke bërë ndryshimin e sistemit.
"Futjen e ndryshimit të sistemit, arritje shumë e madhe për opozitën dhe vendin. Ju garantoj se gjatë mandatit të këtij komisioni do bëjmë të pamundurën t'i arrijmë objektivat që kemi rënë dakord edhe me grupin e mazhorancës. Përtej adresimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, kemi detyrë të garantojmë proces të rregullt zgjedhor, për të eliminuar shit-blerjen e votës, përdorimin e fondeve publike, dhe masa për mbrojtjen e listave zgjedhore dhe çdo tentativë manipulimi. Do bëjmë të pamundurën si grup parlamentar i ri të zgjidhim këto çështje. Kemi 30 vjet që kontestojmë zgjedhjet, ne duhet t'i garantojmë qytetarëve zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk është objekt i pamundur, çdo gjë është e mundur nëse kemi vullnetin e duhur, ne do t'ja dalim. Do bëjmë të pamundurën të hapen diskutimet publike për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Do hartojmë planet në javët në vijim", tha Hajdari.

Paralajmërimi i dytë i PS-së për bllokimin e rrugëve
Socialistët kanë bërë edhe një paralajmërim të dytë ndaj opozitës sa i përket protestës së shpallur për bllokimin e pesë akseve kryesore të rrugëve në vend.
Paralajmërimi erdhi po nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili u shpreh se nuk duhet të ushtrojnë dhunë.
“Basha dhe Kryemadhi kanë vendosur të bllokojnë sot të gjitha akset më të rëndësishme kombëtare, pro një gjë është e sigurt, nuk mund të bllokojnë dot reformën në drejtësi. Nuk mund të bllokojnë sot miratimin e këtij ligji sikurse nuk kanë mundur prej 2016 të bllokojnë paketën, ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për Vettingun. Në vazhdën e këtyre protestave të dhunshme që dëmtojnë ekonominë, turizmin, konsumin. Ishim para pak minutash në Rinas teksa u hodh themeli i një prej hoteleve më të rëndësishme me 5 yje në Shqipëri. Një kompani gjermane, ka vendosur të investojë përsëri në Shqipëri. Përfaqësuesi i kësaj kompanie gjermane teksa mori fjalën tha erdha nga Mynihu me një avion të mbushur me turistë gjermanë. E turistëve gjermanë sot teksa shkojnë për në Vlorë do ti dalë përpara Luli dhe Monika për t’u zënë rrugën për të mos shijuar bukuritë e turizmit shqiptar. E teksa një gjerman do të pyesë gjermanin tjetër se çfarë hall kanë këta, po ju themi nga këtu: Halli i tyre është reforma në drejtësi. Prandaj bllokojnë rrugët. Të bllokosh rrugët sot do të thotë është të mundohesh të pengosh sado pak. Por nuk kanë për t'ia arritur”, deklaroi Balla.
Duke iu rikthyer çështjes së zgjedhjeve, Balla kujtoi këtu bisedat telefonike, që sipas tij, Edmond Spaho i telefononte dhe si fliste se si LSI-ja po blinte zgjedhjet në Elbasan. “Nuk kanë për të arritur të bllokojnë demokracinë apo zgjedhjet. Halli i tyre është biznesi i kunatit dhe jo i një qytetari të ndershëm shqiptar. Lulzim, ke të drejtën që të protestosh, por harroje të nxisësh dhunë në kryesh akte vandalizmi, pasi ke për t'u përballur me ligjin. Qoftë ti apo kushdo që tenton të bllokojë rrugë apo vandalizojë biznese private. Nuk do të ndodhë kurrë bllokimi i zhvillimit të zgjedhjeve”, theksoi Balla.

“Bindja Demokratike” bëhet me deputetë
Gjashtë deputetë të rinj u betuan sot në Kuvend, mes tyre është edhe Andi Përmeti një prej themeluesve të partisë më të re “Bindja Demokratike”, e cila ka si drejtues ish-numrin dy të PD-së, Astrit Patozin.
Më 23 prill kjo parti dorëzoi në gjykatën e Tiranës kërkesën për regjistrim si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Dokumentacioni i regjistrimit si parti politike është shoqëruar me rreth 4 mijë firma të mbështetësve për krijimin e saj.

Artur Roshi, deputeti i ri i Kuvendit, kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat


Deputetët e tjerë që u betuan sot ishin edhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Rroshi nga lista shumë emërore e PD, Nikolin Staka nga lista shumë emërore e PD-së në Shkodër, Zef Shtjefni kryetar i Partisë “Ora e Shqipërisë”, lista shumë emërore e qarkut të Shkodrës; Fatjona Koço (Dhimitri) nga lista shumë emërore e PD-së në Gjirokastër, dhe Eugen Bojaxhi, nga lista shumë emërore e LSI-së e qarkut të Beratit. Me betimin e gjashtë emrave të fundit, numri i deputetëve të betuar në Kuvend shkon në 108.
Erion Piciri nuk ishte i pranishëm në seancë, pritet që të betohet në seancën e radhës, ndërsa dy të tjerë pritet që të marrin mandatin, pasi kanë dorëzuar dokumentacionin në KQZ.

Komisioni i Reformës votohet me 90 vota
Kuvendi votoi me 90 vota pro, 1 kundër dhe një abstenim përbërjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore do të drejtohet nga Damian Gjiknuri si bashkëkryetar dhe nga Rudina Hajdari. Ndërkohë që këtij komisioni i janë shtuar 2 pjesëtarë të rinj, pra nga 10 anëtar që ishte parashikuar në fillim, sot është bërë me 12 anëtarë, i ndarë në mënyrë të barabartë.

Votimi-reforma


Anëtarët e PS-së do të jenë Damian Gjiknuri, Blerina Gjylameti, Bashkim Fino, Klotilda Ferhati dhe Alket Hyseni dhe Vasilika Hysi, ndërsa nga opozita e re do jenë Rudina Hajdari, Korab Lita, Myslim Murrizi, Nimet Musai, Ralf Gjoni dhe Andi Përmeti. Ky i fundit themelues i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti, i cili këtë të enjte u betua si deputet.
Bashkëkryetar do të jetë Damian Gjiknuri nga PS dhe Rudina Hajdari. Afati i fundit është deri në datë 28 nëntor të 2019.

Përbërja e komisionit

PARTIA SOCIALISTE

Damian Gjiknuri, Bashkëkryetar
Bashkim Fino, Anëtar
Alket Hyseni, Anëtar
Klotilda Ferhati, Anëtar
Blerina Gjylameti, Anëtar
Vasilika Hysi, Anëtare

OPOZITA
Rudina Hajdari, Bashkëkryetar
Mylym Murrizi, Anëtar
Andi Përmeti, Anëtar
Korab Lita, Anëtar
Nimet Musai, Anëtar
Ralf Gjoni, Anëtar


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë