Politike

Lista, dy qëndrimet e Lulzim Bashës

Lulzim Basha njohu përgjegjësinë personale për futjen në listë të emrave që sot nuk po i binden vendimit politik të Partisë Demokratike dhe po pranojnë mandatin e deputetit. Por, Basha thotë se pavarësisht kësaj, këta emra nuk përfaqësojnë as opozitën dhe as popullin.

Pjesa më e madhe e tyre, Basha thotë se nuk kanë qenë anëtarë të PD-së, por nga partitë e tjera të vogla. Gjithsesi, kryedemokrati kujton se ata që e kanë refuzuar marrjen e mandatit janë më të shumtë dhe në këtë pikë qortoi mediat.

Këto të fundit, sipas Bashës, i kanë dhënë më shumë përparësi e bujë emrave që i kanë dalë kundër vendimit për të refuzuar mandatet sesa atyre që i kanë refuzuar ato.

“Ndjej përgjegjësi personale nuk ka diskutim. Por, kanë qenë dyfish numri i atyre që kanë refuzuar të marrin mandatin, por media nuk i thotë këto gjëra. Mediat u kanë bërë tamtame vetëm atyre që kanë marrë mandatin”, deklaron Basha.

Këto fjalë, kreu i PD-së i shqiptoi në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike me emisionin “Të Paekspozuarit”, pas protestës që bllokoi disa nyje të akseve kombëtare në veri dhe jug të vendit. Por, çfarë deklaronte në fushatën e 2017 Lulzim Basha si përgjigje ndaj kritikave se kishte larguar veteranët dhe emrat që i kishin dalë kundër brenda partisë?

Në atë kohë, ndoshta kushtëzuar edhe nga fakti që ishte në fushatë, Basha fliste me një tjetër vlerësim e bindje për listën e hartuar, që e cilësontë ekip fitues.

“Lista është përshëndetur dhe është pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga partia, por edhe nga publiku, akademikët, shoqëria civile dhe media. Të të jap disa shifra sesa i thellë është ndryshimi, kemi 41 gra në 140 kandidatë, 82 përqind e kandidatëve që nuk kanë qenë kurrë deputetë, 42 për qind të rinj nën 40 vjeç dhe 33 për qind nën moshën 35 vjeç. Kjo është një listë që përfaqëson dëshirën, kërkesën e kohës dhe qytetarëve për daljen e PD me një ekip të lirë dhe demokrat”, këmbëngulte ai në një intervistë dhënë për Top Channel.

Lulzim Basha gjate protestes se 2017 ne cader

Basha fliste për një vendim të vështirë, por të drejtë dhe të cilit i qëndronte totalisht. Ai deklaronte se lista ishte një ndërthurje mes brezit të ri dhe njerëzve me kontribut historik në PD dhe siguronte se vendimi për të lënë jashtë Jozefina Topallin, Astrit Patozin e të tjerët nuk ishte hakmarrje personale.

“Synimi nuk ka qenë të spastrojmë apo largojmë një gjeneratë, por një ndërthurje e përvojës me rininë, e kontributit ndër vite me kontributet të veçanta, e përfaqësimit politik dhe atë komunitar për të sjellë një ekip përfaqësues, të ripërtërirë dhe që do të garantojë fitoren më 25 qershor. Ky ka qenë vendimi im dhe është në kuadër të harmonizimit të historisë dhe kontributeve ndër vite të Partisë Demokratike me gjakun e ri të Partisë Demokratike. Lista është një mozaik qytetar ku 82 për qind nuk kanë qenë më parë deputetë. Kjo shifër tregon që ja kemi dalë të bëjmë ndryshimin që u premtuan qytetarëve”, këmbëngulte Basha.

I vetmi peng i Bashës në atë periudhë ishte përfshirja në listë e Lefter Maliqit si i treti në listën e Beratit. Maliqi, që sot ka marrë mandatin e deputetit, ato ditë sapo kishte deklaruar hapur mbështetjen për Edi Ramën.

“Them se ishte vendimi i duhur që mos ishte në krye të listës dhe do të ishte vendim edhe më i duhur të mos ishte në listë fare”, deklaronte ai.

Mes propozimeve që bënte në ato kohë Lulzim Basha ishte edhe vendosja e parimit “recall” në Kushtetutë, ose thërritja mbrapsht e të zgjedhurit nëse abuzon me pushtetin. “Qytetarët nuk kanë pse të presin zgjedhjet e ardhshme për ta shkarkuar”, deklaronte ai duke dalë hapur në mbështetje të një sistemi mazhoritar, pikërisht një prej alternativave që sot po ja kërkojnë aleatët e tij më të vegjël në opozitë.

Përplasja me “Bindjen” e Astrit Patozit

Lulzim Basha nuk e përmendi në asnjë moment në emër Astrit Patozin, por dukshëm i referohej atij, duke e akuzuar se Partinë Demokratike e deshi përsa kohë i siguronte një karrige në pushtet dhe jo më shumë.

Basha akuzoi tërthorazi Astrit Patozin se është vënë në shërbim të Ramës, por u zotua se zgjedhje fasadë me opozitë të rreme nuk do të ketë.

“Shumë prej tyre kanë marrë mbrapsht shumëfishin e atyre që i kanë dhënë Partisë Demorkatike. Janë kthyer kundër Partisë Demokratike kur kanë humbur karrigen. Që kur kanë humbur karriget, merren vetëm me PD-në dhe Lulzim Bashën, sidomos kur Rama e ka patur lakun në fyt. Kjo parti është krijuar pikërisht si pazari i Milotit, për të krijuar idenë se ka pjesëmarrje në zgjedhje. Zgjedhje fasadë, me parti fasadë, me opozitë false, nuk do të ketë”, thotë ai.

Reagimi ishte edhe një përgjigje ndaj deklaratave të bëra më herët nga Astrit Patozi. Kreu i “Bindjes Demokratike” paralajmëroi shkrirjen e PD-së nëse kjo e fundit nuk merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe rrëzon argumentin me të cilin Basha dhe pjesë tjetër e aleatëve të tij dogjën mandatet.

“PD mund të shkrihet nëse nuk merr pjesë në zgjedhje dhe mua më dhimbset ajo parti dhe nuk dua që ta shoh në këtë gjendje”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për Real Story.

Patozi rrëzoi argumentin e përdorur nga Basha dhe aleatët e tij për të marrë vendimin e djegies së mandateve të deputetit.

“Zgjedhjet e vitit 2017 janë deformuar, por nuk janë ato zgjedhjet e para që janë deformuar në Shqipëri. Nuk kanë qenë zgjedhjet më të këqija në vendin tonë”, vijoi ai.

Patozi kujtoi fushatën elektorale të 2017. Në atë kohë, Basha fliste me një gjuhë të ashpër si ndaj PS-së, ashtu edhe ndaj LSI-së.

“Basha betejën politike në vitin 2017 e kishte kundër LSI, që e etiketonte si organizatë kriminale. Ku është morali i tij tani”, thotë Patozi.

Gjithsesi, këto kendvështrime të ndryshme sa u takon rrugës së ndjekur për të larguar Edi Ramën, mision që Patozi thotë se e ka edhe “Bindja Demokratike”, nuk e pengojnë që të bashkëpunojë me Lulzim Bashën. Një prej çështjeve që është i gatshëm ta mbështesë është ndryshimi i sistemit, duke nisur që nga Kushtetuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë