Politike

Prishja e marrëveshjes me muxhahedinët? Yuri Kim: Qeveria shqiptare vendos (Të gjitha përshtypjet dhe detyrat që ajo la në fund të mandatit)  

Në fund të mandatit të saj prej tre vitesh e gjysmë, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, zhvilloi një konferencë për shtyp me mediat.

Jo pa qëllim, ajo pranoi që komunikimi të ishte e drejtpërdrejtë dhe i hapur për këdo ta dëgjonte përmes mediash vizive për të dhënë përgjigjet e saj që siç pranoi edhe vetë ambasadorja secili i jep në një formë apo tjetër, por ata japin gjithnjë përgjigje. Dhe në fakt e tillë ishte edhe përgjigja e saj kur u pyet menjëherë pas një deklarate të mbajtur për punën e SHBA në Tiranë se a duhet prishur marrëveshja e vitit 2014 mes qeverisë shqiptare dhe organizatës MEK pas asaj që ndodhi një ditë më parë në Manzë dhe arsyeve të kontrollit nga ana e Policisë.      

“Mendoj se ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është e qartë, ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu terma të caktuar të cilat zbatohen për çdo lloj mysafiri në vendin tuaj dhe këto duhet të respektohen prej tyre...” tha ambasadorja Kim.

Ambasadorja Kim ishte po aq e qartë kur u pyet për misionin e SHBA në Tiranë kur tha se çdo ambasador amerikan që ka shërbyer në të shkuarën, të tashmen  por edhe në të ardhmen do të përpiqet ta drejtojë gjithnjë Shqipërinë drejt të ardhmes.

Kjo ishte edhe përgjigja kur ajo u pyet indirekt edhe për Sali Berishën dhe sulmet e tij. Sipas saj, çdo ambasador përballet me sfidat, porse ka diçka lidhur me SHBA, se ata shohin nga e ardhmja.

E pyetur nëse do të ndryshonte diçka në fund të mandatit të saj, Kim u kujdes të sqaronte se çdo vend ka sfidat e tij. “Dhe kur flasim për gjërat që duhet të përmirësohen për gjërat që duhet të ndryshojnë në Shqipëri e themi duke pasur respekt”, vijoi ajo, duke qartësuar sërish se, “ambasadorët që shërbejnë në Shqipëri nuk ndjekin axhenda vetjake”. Sipas saj duhet vijuar me reformën në drejtësi dhe cilësoi të domosdoshme çrrënjosjen e korrupsionit dhe lehtësimin e procedurave për të drejtën e pronësisë.

Ndërkohë, Ambasadorja Kim dha një përgjigje diplomatike se si është ndjerë ajo ndaj disa sulmeve si individ por edhe në detyrën e saj si diplomate nga politika apo përmes disa lajmesh të rreme të shpërndara në rrjetet sociale. Kim u pa e patrazuar ndaj këtyre fenomeneve kur tha se vëmendja e saj kane qenë kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit. “Më ka pëlqyer të jem këtu dhe të mësoj të vërtetën kam pasur mundësi të vizitoj 61 bashkitë e vendit dhe të dëgjoja biseda të paplanifikuara me qëllim që të kuptoja se cila ishin gjërat që u pëlqenin dhe nuk u pëlqenin. Dëshiroj të falenderoj çdo person me të cilin kam pasur mundësi të bisedoj, kemi pasur shkëmbime idesh dhe kam pasur mundësi të takohem me persona që mund të mos kenë plotësisht dakord me politikat e SHBA”  Dhe arsyeja pse i ka kontaktuar ata, sipas ambasadores, është që të flasin gjithnjë për të vërtetën.

Kim nënvizoi se situata nuk është njësoj si në vitin ’91 në të gjitha pikëpamjet, por theksoi se ka ende punë për të bërë duke renditur problemin me gjykatat dhe prokuroret që sipas saj duhet të jenë të pavarur, më shumë progres në fushën e të drejtave të pronës, duke shtuar se në këtë mënyrë edhe investimet amerikane do të kenë sigurinë që të punojnë konform rregullave dhe nëse “hasin vështirësi ta çojnë çështjen në gjykatë të sigurt se e vërteta është me ta dhe jo sepse duhet paguar ryshfet”.

Ambasadorja amerikane tha se largohet nga Shqipëria më përshtypjet më të mira për këtë vend, nuk dha një përgjigje nëse do të kthehet këtu sërish porse Shqipërinë do ta këtë gjithnjë me vete dhe se marrëdhëniet SHBA-Shqipëri s’kanë qenë kurrë më të forta.

“Kemi bërë progres historik në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Vitin e kaluar përkujtuam 100-vjetoritn e marrëdhënieve diplomatike të SHBA dhe Shqipërinë. Kemi bërë hapa të mëdhenj për partneritetin tonë. Kemi ende punë për të bërë, por shpresoj që përparimi i 3 viteve do të na inspirojë edhe më tej që të mos dorëzohemi. Kam ndryshuar në shumë mënyra në këto 3 vite. Unë do e lë Shqipërinë me respekt të thellë për historinë, traditat, këmbënguljen tuaj. Do iki me mirënjohje për dashamirësinë tuaj. Do të largohem me simpati dhe solidaritet për padurimin tuaj për një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Do të iki me një respekt për tokën tonë të shqiponjave” ishin përshtypjet e ambasadores Kim e cila largohet për një tjetër detyre akoma më të lartë në DASH.

“Në pozicionin tim të ardhshëm do të kem përgjegjësi për gjithë Evropën  dhe kjo përfshin edhe Shqipërinë, ndoshta jo të gjithë janë të kënaqur për këtë, por unë jam e kënaqur. Në fakt nga këndvështrimi vetjak e vërteta është kjo: sikurse e shpreha edhe me herët vërtet jam prekur dhe ndryshuar nga përvoja ime këtu dhe nëse kthehem në Shqipëri ose jo Shqipëria do të jetë gjithmonë me mua...”, tha ambasadorja  amerikane Yuri Kim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë