Drejtësia

Përplasjet në kampin e MEK-ut me policinë, 6 muxhahedinë në hetim për disa vepra penale

Gazeta Si - Të paktën 6 muxhahedinë të kampit MEK, janë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga policia, pasi kundërshtuan kontrollin e forcave policore brenda kampit të tyre një ditë më parë.

Gjatë kontrolleve dhe kryerjes së veprimeve procedurale, forcat policore janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehoheshin në rezidencë, të cilët tentuan të pengonin shërbimet e policisë për të vijuar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale, objekt i vendimit të GJKKO-së.

Si pasojë e veprimeve kundërshtuese nga anëtarët e MEK, u dëmtuan 15 punonjës policie dhe automjete të Policisë së Shtetit.

"Pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, punonjësit e policisë janë vetëpërmbajtur duke mos iu përgjigjur proporcionalisht dhunës që po ushtrohej ndaj tyre", - thuhet në njoftimin e policisë.

Të proceduarit penalisht janë H.N. 73 vjeç; M.B. 72 vjeç; A.A. 72 vjeç; B.S. 63 vjeç; A.A. 61 vjeç dhe D.F. 70 vjeç.

Ata akuzohen për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, shkatërrimi i pronës dhe pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.

Nga ana tjetër SPAK dyshon se në Manëz realizoheshin përgjime të paligjshme dhe ndërhyrje në sisteme elektronike.

Sa i përket kontrolleve, ku u sekuestruan serverë të kompjuterëve, laptop dhe materiale të tjera, Prokuroria e Posaçme ka dyshime se disa anëtarë të MEK, janë përfshirë në aktivitet kriminal.

Operacioni i policisë, RENEA-s dhe SPAK, nisi në orën 8 të mëngjesit të së martës dhe përfundoi rreth orës 13.

Pas akuzave, policia publikoi pamje nga kamerat e efektivëve, por edhe me dron, ku shfaqen personat që tentojnë të zhdukin materiale, por dhe duke goditur me mjete të forta blutë.

Gjatë aksionit, disa prej banorëve të MEK-ut u organizuan në tubime kundër veprimeve të policisë.

Sipas muxhahedinëve, përdorimi i gazit dhe sprajit nga policia solli humbjen e jetës së një personi dhe lëndimit të 36 të tjerëve. 

Për të sqaruar shkaqet e vdekjes së tij është ngritur një grup hetimor nga policia dhe Prokuroria e Durrësit dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore.

Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme në reagimet e bëra për mediat theksuan se nuk ka jetë të humbura nga ndërhyrja e policisë dhe se të gjitha veprimet ishin konform ligjit, duke ruajtur etikën dhe të drejtat e qytetarëve.

Verifikime po kryhen dhe për pretendimet se policia shqiptare ka shkelur ligjin, duke ushtruar dhunë dhe shkaktuar vdekjen e një banori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë