Keshilla

Prindërim i butë në Shqipërinë e ‘zhurmshme’!?

Fotografi ilustruese e një prindi me vajzën e saj.

Nga Gazeta "Si" - Prindërimi i butë është po vihet re si një trend i ri, të paktën në të gjitha mediat sociale. I quajtur ndryshe edhe "prindërim i respektueshëm", "prindërim i arsyeshëm" apo "prindërim i ndërgjegjshëm", kjo është një qasje që përqendrohet tek emocionet e fëmijës dhe bazohet në krijimin e një partneriteti mbështetës midis prindit dhe fëmijës.

Ideja e prindërimit të butë tingëllon e mrekullueshme në teori. Po në praktikë, sa i thjeshtë është në Shqipërinë e zhurmshme, ku ankthi dhe shqetësimet janë të pranishme kudo?

Sociologe Marsida Simo, Gazeta "Si", 15 maj, 2022.

Sociologe Marsida Simo tregon për Gazetasi.al se ka disa stile prindërimi të cilat kohët e fundit janë bërë edhe më të përhapura për prindërit shqiptarë. “Informacioni, klubet e prindërimit apo dhe grupet e prindërve që qarkullojnë në rrjete sociale i vijnë në ndihmë prindërve të rinj të kuptojnë më tepër si dhe të integrojnë këto metoda në edukimin e fëmijëve të tyre”, thotë Simo.

Simo shton se në vendin tonë, janë të vjetrit apo gjyshërit që shpesh ndikojnë apo ndërhyjnë në stilin e prindërimit duke dashur të japin nga eksperienca e tyre, duke e kthyer të vështirë këtë proces.

“Më të vjetrit janë fokusuar te prindërimi autoritar ku ndëshkimi është baza”, thotë Simo.

“Prindërimi i butë do të thotë se pavarësisht mundësive apo kushteve, një prind është i vetmi person përgjegjës për prindërimin e fëmijës së tij”, thotë për Gazetasi.al, Jonida Haxhiu, psikologe.

Haxhiu shpjegon se janë prindërit që vlerësojnë mundësitë apo përshtasin pamundësitë. Patjetër duhet të kemi në konsideratë situata të ndryshme sociale, financiare, kulturore, etj, në të cilën lind marrëdhënia prind- fëmijë.

Psikologe Jonida Haxhiu, Gazeta "Si", 15 maj, 2022.

“Po, një model "i butë" i prindërimit mundet kudo, pse jo edhe në Shqipëri”. Sigurisht, thotë Haxhiu, një mjedis me probleme, dhunë etj, e vështirëson, por një prind e di mirë se si është natyra e fëmijës së tij duke mundur edhe të përshtasë atë me mjedisin, sido që të jetë ai.

Krahasuar me shumicën e modeleve të tjera të prindërimit, prindërimi i butë kërkon më shumë kohë dhe përkushtim sepse është një investim për të vërtetuar ndjenjat e fëmijës tuaj, për të vendosur kufij të shëndetshëm, për të treguar pasojat që janë logjike për situatën dhe duke e lënë fëmijën të vendosë rregullat.

Por koha dhe momentet e gjata pa stres janë një luks që shumë prindër nuk e kanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë