Futboll

Pretendentët e Topit të Artë të Botërorit

Botërori ende nuk ka nisur, por ethet e trofeut më të madh për kombëtare kanë filluar. Por, nuk është vetëm kupa që ndan FIFA. Në këtë kompeticion janë edhe çmimet për paraqitjet individuale të futbollistëve.

Një prej këtyre trofeve është Topi i Artë i Botërorit. Për të mos u ngatërruar me Këpucën e Artë, ky trofeu nuk i jepet domosdoshmërisht lojtarit që shënon më shumë në këto finale, por atij që bën paraqitjet më të mira, ku përfshihen minutat e zhvilluara, asistet e dhëna apo në rastin e mbrojtësve spastrimet nga zona.

Fituesi i fundit i këtij trofeu është Lionel Messi, që me Argjentinën e tij arriti që të shkojë në finale në Botërorin e Brazilit në 2014, por pa arritur që ta ngrejë kupën aq të dëshiruar.

Përzgjedhja bëhet nga një komitet i FIFA-s dhe nga përfaqësuesit e medias.Topi i Artë u prezantua gjatë Kupës së Botës në vitin 1982 dhe i pari që e fitoi atë ishte Paolo Rossi i Italisë.

Pas Paolo Rossit ky trofe u fitua nga Diego Maradona në vitin 1986, Salvatore Schillaci 1990, Romario 1994, Ronaldo 1998, Oliver Kahn 2002, Zinedine Zidane 2006, Diego Forlan 2010 dhe Lionel Messi në 2014.

Hera e fundit që një trofe i tillë personal i jepej një lojtari, skuadra e të cilit ishte shpallur kampione bote, ishte në vitin 1994 me Romarion. Brazili në atë kohë mposhti Italinë në finale pas goditjeve nga 11-metërshat.

Por në 2018, kush do ta fitojë këtë trofe? Ta parashikosh është e vështirë, por bastet kuotojnë 4 lojtarë, që të gjithë që luajnë në Europë dhe që zhvilluan një sezon të shkëlqyer me klubet respektive.

I pari quhet Cristiano Ronaldo. Kampion i dyfishtë i Europës, fillimisht me Portugalinë në 2016 dhe me Realin në Ligën e Kampionëve.

Më pas, kuotohet rivali i përhershëm i portugezit, Lionel Messi dhe më pas, Neymar. Mohamed Salah vjen fill pas tyre pasi mbylli një sezon ëndrrash me Liverpulin. Pas kësaj treshje, radhitet Robert Leëandoski i Bajernit. Polonia e tij ndoshta nuk ka talentet e Argjentinës e Brazilit, por ka ngritur një grup të konsoliduar.

Kjo është lista e pretendentëve të shpallur nga ekspertët, por nuk përjashtohen surprizat dhe në një event të tillë nuk mungojnë surprizat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë