Politike

Presidenca: Të zbatohet dekreti! Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë

Presidenti Ilir Meta nuk doli vetë para gazetarëve në konferencën e paralajmëruar pak pas përfundimit të punimeve të Parlamentit, ku u votua mocioni kundër dekretit presidencial që anulon 30 qershorin si datë zgjedhjesh.

Në emër të Presidentit foli juristin i Presidencës, Bledar Dervishaj. Ai mbrojti vendimin e Presidentit Meta.

“Për nga natyra, ky vendim i Presidentit është i një natyre të veccantë dhe asnjë institucion tjetër, përveç Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta vlerësojë si kushtetues, apo antikushtetues”, deklaroi juristi Dervishaj.

Për këtë arsye, juristi i Presidencës tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera duhet ta zbatojnë këtë vendim dhe të ndalin përgatitjet për zgjedhjet më 30 qershor. “Çdo veprim tjetër është në shkelje të ligjeve të vendit. Presidenti ka kompetenca të qarta të përcaktuara nga Kushtetuta. Presidenti ka nxjerrë një dekret, dekreti është botuar në Fletoren Zyrtare dhe Presidenti pret zbatimin e tij”, shtoi Dervishaj.

Presidenca thotë se në vend të reflektimit nga ana e klasës politike është ndërmarrë një fushatë kundër Presidentit Meta, ndërsa lajmet se të zgjedhurve vendorë u përfundon mandati, juristi Dervishaj iu përgjigj se ligji për funksionimin e pushtetit vendor parashikon që mandati i të zgjedhurve vendorë përfundon në momentin konstituohen të zgjedhurit e rinj.

“Pra, nuk krijohet një boshllëk në vetëqeverisjen vendore”, shtoi ai.

Deklarata e Presidencës mbëriti pak pasi Kuvendi miratoi me 100 vota pro mocionin kundër dekretit të Ilir Metës, mocion që mori mbështetjen edhe nga deputetët e rinj të dalë nga listat e PD dhe LSI-së. Më herët, Presidenti Meta u takua me zv.ambasadoren amerikane në Tiranë, Layla Moses-Jones. Takimi me zyrtaren amerikane zgjati për rreth 2 orë. Në fund të tij nuk pati asnjë deklaratë, por një reagim të Presidentit Meta, që përmes rrjeteve sociale kërkoi reflektim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë