Analize

Presidenti i Maqedonisë së Veriut në dorë të shqiptarëve!

Ashtu si ndryshimi i emrit, edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut duket se do të jetë në dorë të shqiptarëve. Pasi dolën pothuajse barazim në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kandidati i koalicionit qeveritar, Stevo Pendarovski dhe kandidatja e opozitës, Gordana Dakova-Siljanovska i kanë hedhur sytë nga votat e shqiptarëve, shumica e të cilëve votuan për profesorin Blerim Reka.

I mbështetur nga partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, Reka mori të dielën 80 mijë vota. Edhe pse vetë Reka nuk arriti të kalonte në balotazh, duket se do të jenë pikërisht votuesit e tij ata që do të zgjedhin presidentin e ardhshëm të vendit fqinj pas 2 javësh.

Në deklaratën e tij të parë pas votimit, Reka ishte i shpejtë për të qartësuar se nuk ka për qëllim të orientojë apo urdhërojë trupën votuese për kë të votojnë, duke mohuar çdo pazar të mundshëm me secilën palë.

Blerim Reka

Por pa kaluar një ditë pas raundit të parë zgjedhor, qeveria dhe opozita janë fokusuar tek votat e Blerim Rekës. Pendarovski, pa humbur kohë i bërë thirrje votuesve shqiptarë që të hënën që ta mbështesin në raundin e dytë me qëllim që të mos fitojë një presidente që sipas tij, do të bllokojë shpresat euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

“Deklarata e Blerim Rekës më pëlqeu i cili tha se votuesit e tij janë individë me të drejtë të vendosin vetë dhe të votojnë siç duan ata. Mendoj që të gjithë ne duhet ta mbrojmë këtë qëndrim”-deklaroi Stevo Pendarovski.

Megjtihatë, e para që kërkoi votat e shqiptarëve ishte opozita maqedonase që gjithashtu synon votat e opozitës shqiptare. Kandidatja e VMRO-DPMNE-së u bëri thirrje mëngjesin e së hënës, të gjithë shqiptarëve që kishin votuar për Rekën, të votonin për të.

“Unë e di se beteja nuk ka mbaruar ende, por mendoj se nëse kemi një numër të vogël votash, sidomos nëse shtojmë ato të zotit Blerim Reka si një kandidat i pavarur i mbështetur nga dy parti. Të dy ne folëm për sundimin e ligjit, fundin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe vetëm ne mund të fillojmë negociatat  me BE-në, përndryshe ne do të mbetemi të varrosur në tranzicion”, tha Siljanovska.

Nga ana tjetër, BDI-ja ka akuzuar Lëvizjen Besa dhe ASH-në për një pakt me VMRO DPMNE-në duke sinjalizuar se sipas saj, partitë opozitare shqiptare planifikojnë të mbështetësin Siljanovskën.

Stevo Pendarovski dhe Zoran Zaev


BDI ka mbështetur Pendarovskin dhe ishin pikërisht votat e BDI-së arsyeja pse Pendarovski doli i pari në raundin e parë. “Tashme është shumë e qartë se Aleanca dhe zoti Reka kanë kandiduar në këtë zgjedhje, vetëm e vetëm për të ndihmuar Siljanovskan dhe për ta ndihmuar VMRO-DPMNE-në të kthehet në skenë”-deklaroi Izet Mexhiti, shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Por pavarësisht akuzave që vijnë nga BDI-ja, dy partitë opozitare shqiptare duket se nuk janë përcaktuar ende se cili do të jetë qëndrimi i tyre në raundin e dytë të garës presidenciale.

Të paktën publikisht, profesori Reka ka mbajtur deri më tani një qëndrim mjaft neutral. Muajin e kaluar ai sinjalizonte se nuk do të favorizonte as Pendarovksin dhe Siljanovkën, duke mos i bërë ftesë elektoratit të tij të votojë për ndonjërin prej tyre.

"E drejta e votës është e drejtë e shenjtë dhe nuk është e imja. Ajo është e drejtë që i takon qytetarëve dhe ata vetë vendosin se për kë votojnë. Unë nuk bëj tregti me votat e qytetarëve", pat deklaruar profesori Reka. Të njëjtin qëndrim mbajti të hënën edhe shefi i shtabit të tij zgjedhor, Florin Hasani.

Blerim Reka, Ziadin Sela dhe Billall Kasami

“Ne nuk bëjmë thirrje as për bojkot dhe as nuk do t’i inkurajojmë shqiptarët të votojnë për Siljanovskën apo Pendarovskin” tha ai.

Katër partitë shqiptare në pushtet, BDI, PDSH, Alternativa dhe RDK, u kanë bërë tanimë thirrje shqiptarëvë të Maqedonisë së Veriut të votojnë Pendarovskin, por deri më tani nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajnë Ziadin Sela dhe Bilall Kasam.

Vetë Lëvizja Besa theksoi të hënën se ende nuk e ka vendosur se çfarë do t’u kërkojë votuesve të saj për raundin dytë të zgjedhjeve presidenciale i cili mbahet me 5 maj.

“Organet e partisë do vendosin se si do veprohet ne situatën e krijuar,” tha zëdhënësi i Lëvizjes Elmedin Memishi, i pyetur nëse kjo parti do t’i ftojë përkrahësit e saj që të votojnë për Stevo Pendarovskin ose Gordana Siljanovkën.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët nuk ka dalë ende më një qëndrim zyrtar, por mediat në Shkup sinjalizojnë se ajo pritet t’u bëjë thirrje votuesve të saj të bojkotojnë votimin e 5 majit. Enigma e këtyre dy partive pritet që të zgjidhet gjatë dy javëve të ardhshme dhe nuk përjashtohet as opsioni i pestë: heshtja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë