Politike

Presidenti/ Boçi: Alibeaj përfaqëson opozitën false

Nënkryetari i grupit parlamentar i PD-së, Luçiano Boçi, njëherazi negociator për Presidentin nga “Rithemelimi” thotë se nuk ka një vendim unik nga grupi parlamentar për çështjen në fjalë.

Boçi i referohet dokumentit që Alibeaj ka shpërndarë për forcat politike në emër të grupit parlamentar të PD

“Kjo e folura dhe paraqitja e vendimeve personale në emër të Grupit parlamentar të PD-së përpos që është qesharake, mbetet një hile bajate, për të marrë atribute të paqena dhe për të mbajtur gjallë një përçarje që dihet se kujt i shërben.

Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedure për zgjedhjen e Presidentit, siç e paraqet z. Alibeaj

Nuk ka pasur as vendim të Kryesisë grupit parlamentar, as mbledhje të grupit, as takim me kuorum për ta quajtur mbledhje grupi dhe as dakortësi në takimet pa kuorum.

Ky lloj keqpërdorimi i sinqeritetit dhe dëshirës së deputetëve të PD-së për të negociuar dhe propozuar Presidentin duhet të marrë fund”, shkruan ai.

Boçi i referohet një tjetër procedure në PD për Presidentin. 

“PD ka organet e saj vendimmarrëse dhe ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit  në Këshillin Kombëtar.

Grupi parlamentar është i unifikuar në idenë që është opozita ajo që duhet të propozojë.

Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla për të shpëtuar faqen e Ramës faqe botës, nuk pranohet.

Ne do të vazhdojmë misionin e PD-së për të përafruar qëndrimet për procesin dhe emrin me të gjithë partitë opozitare në nivel politik e parlamentar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë