Politike

Alibeaj shpërndan draftin e vet si qëndrimin zyrtar të PD: Presidenti të jetë konsensual dhe anti-komunist

Enkelejd Alibeaj nuk ishte në takim me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla

Por pas mbledhjes së komisionit të Ligjeve ai foli për mediat si kryetar i grupit parlamentar madje duke shpërndarë edhe dokumentin e propozuar prej tij deputetëve si një draft final për krerët e grupeve të tjera të opozitës dhe vetë PS.

Alibeaj tha disa herë i pyetur nga media se ai ishte dokumenti i grupit parlamentar të PD-së (edhe pse në mbledhjen e fundit ishin vetëm 21 deputetë dhe drafti u la i hapur për diskutime).

Në thelb Alibeaj bazohet ende tek kriteret dhe mbi të gjitha sipas tij duhet një president gjithepërfshirës dhe anti-komunist.

“Duhet të përcaktohen disa kritere. Një president anti-komunist, pra nuk duhet të mos ketë anëtar i presidiumit, prokuror, gjyqtar e me radhë…Dëshmitë për angazhimin dhe çrrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh dhe këto kritere janë vlera kryesore.

Mund të them se jemi qëndruar fort tek çështja e kritereve dhe jemi të hapur t’i diskutojmë. Me rëndësi është procedura pasi garanton respektimin e kritereve, pra kemi qëndrimin që opozita duhet të propozojë, pra duhet një proces që të mos e shndërrojë në buzëkuq të mazhorancës, nuk do t’ja bëjmë këtë shqiptarëve dhe pres publikisht nga përfaqësuesit e mazhorancës të ketë qëndrimin e tyre. Presim reagimin e tyre dhe në bazë të reagimit do të kemi një reagim tonin”, tha Alibeaj.

Si do të zgjidhet?

“Duhet të krijojmë një proces, nuk jemi për të pasur proces në dhoma të errëta, pasi nuk kanë rezultuar të mira për shqiptarët kur i kemi pasur.  E kemi detyrim ndaj shqiptarëve, presidenti është i shqiptarëve dhe jo i dhomave të errëta. Qëndrimet tona janë të bëra publike”.

Pse nuk depoziton emra?

“Nuk do të ishte e udhës që të mos vrapojmë pas emrave pa vendosur kriteret që profilizojnë figurën e presidentit, kështu e kemi e menduar”, u përgjigj ai.

 A e njeh ai Blykbashin dhe Boçin nga Rithemelimi si negociator?

“Kjo çështje është tejkaluar tashmë dhe jemi në një çështje të rëndësishme”.

Alibeaj përsëriti se maxhoranca nuk ka legjitimitet që të zgjedhë e vetme presidentin e ri, duke cituar se Kushtetuta e përcakton se duhen 84 vota pro.

Në fakt 84 vota pro duhen vetëm tre raundet e para të votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë