Ne rrjet

Presidenti amerikan do të krijojë rrjetin e lajmeve “Trump TV”

Me anë të një lëvizjeje befasuese, Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar që Shtëpia e Bardhë të fillojë ngritjen e rrjetit të saj të lajmeve, për t’i bërë ballë "urrejtjes" së mediave kryesore ndaj tij.

"CNN është një rrjet informativ që thjesht duket si i tillë dhe kjo është e tmerrshme për vendin tonë. Ne duhet të hapim rrjetin tonë televiziv dhe të transmetojmë lajme të vërteta", tha Trump gjatë një fjalimi në Florida .

"Ne po punojmë në këtë drejtim…Duhet të bëjmë diçka për këtë. Do të punësojmë njerëz të talentuar për t’u përcjellë qytetarëve informacione të vërteta dhe jo të rreme", shtoi ai.
Trump ka ashpërsuar kritikat e tij për CNN-in dhe media të tjera të mëdha, siç është New York Times, pasi shpërtheu skandali i një telefonate që ai pati me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy më 25 korrik.

Gjatë telefonatës, Trump duket se e nxit Zelenskiyn për të zhvilluar një hetim ndaj rivalit të tij politik, ish-nënpresidentit, Joe Biden dhe djalit të tij. Kjo telefonatë është bërë shkas për një hetim nga ligjvënësit amerikanë dhe nisjen e procedurave për shkarkim.
Nuk është e qartë nëse Trump ishte serioz në komentet për hapej e rrjetit të tij të lajmeve, por ai iu referua Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës, si dy transmetues të financuar nga qeveria amerikane.


"Ne kemi Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës … Dhe ne i krijuam ato për të ndërtuar vendin tonë dhe kjo nuk po funksionon shumë mirë", tha Trump.
Në reagimin e tij të parë, Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, tha se në kundërshtim me vlerësimin e Trumpit, rrjeti i themeluar në vitin 1950, vazhdon të ofrojë "gazetari objektive" në baza ditore për ata "të cilëve u mungojnë burime të besueshme të lajmeve dhe informacionit".

Nga ana tjetër, Shefi i Byrosë së Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman reagoi në Twitter duke theksuar se ky rrjet është duke funksionuar. Ai vuri në dukje se Trump "duhet të jetë i vetëdijshëm" për faktin se ai i ka dhënë Zërit të Amerikës dy intervista që kur u bë president në janar të vitit 2017.

Zëri i Amerikës (VOA) është transmetuesi më i madh ndërkombëtar amerikan, duke siguruar lajme dhe informacione në më shumë se 40 gjuhë për një audiencë të përjavshme javore prej më shumë se 275 milion njerëz. Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë lajme në 26 gjuhë në 22 vende, në të cilat një shtyp i lirë është i ndaluar nga qeveria, ose nuk është plotësisht i lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë