Rend dhe Ligj

Preng Gjini flet nga spitali: Nuk jam në hasmëri me askënd, nuk ruhesha

Preng Gjini, 51-vjeçari që iu bë atentat me minë të telekomanduar pasditen e së martës në zonën e ish NSHRAK-ut në Tiranë ka mundur të flasë për policinë nga Spitali Ushtarak ku është i shtruar.

Ndërkohë që sipas grupit hetimor, ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje dhe kishte si qëllim eliminimin e 50-vjeçarit Preng Gjini, ai ka deklaruar se nuk është në hasmëri me askënd dhe se nuk ruhet nga askush.

Gjini thotë se ka qëndruar në Tiranë disa ditë para atentatit, ndërsa ka treguar edhe kontaktet që ka pasur gjatë qëndrimit.

“Kam qëndruar disa ditë në Tiranë. Ditën e atentatit mora makinën e kushëririt, pasi e imja është e madhe për parkim. Nuk kam hasmëri, nuk më kanoset njëri dhe nuk ruhesha”, ka deklaruar ai para oficerëve të policisë.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së zonës nga ku ka lëvizur Gjini për të rënë në gjurmet e personave që e ndiqnin.

Sipas hetuesve, atentati vjen si pasojë e një zinxhiri vrasjesh të ndodhura gjatë tri viteve të fundit në qytetin e Rrëshenit për pazare droge.

I plagosuri Preng Gjini ishte një ndër personat që u mor në pyetje në fillim të këtij viti, kur u ekzekutua në një atentat me snajper Kastriot Reçi. Ai pati mohuar të kishte lidhje me këtë ngjarje, edhe pse oficerët që po hetojnë ngjarjet kanë dyshime të forta se familja Gjini dhe Reçi po përplasen prej vitesh dhe nga të dyja palët ka pasur viktima, brenda dhe jashtë vendit. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar kur u vra vëllai i Preng Gjinit, Armando Gjini, në mes të Rrëshenit, apo vrasja në 2017-ën e Gaspër Reçit, vëllait të Kastriot Reçit në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë