Para

Prej dy muajsh zvogëlohet stoku i depozitave

Nga Gazeta "SI"- Stoku i depozitave në Shqipëri, rezultoi me rënie edhe për muajin mars. Krahasuar me muajin shkurt 2022, rënia ishte 0.1%. Kështu, marsi është muaji i dytë radhazi, pas uljes me 0.4% në shkurt.

Banka e Shqipërisë, raporton se nga tërheqja e depozitave, në mars ishin 1.227 triliardë nga 1.229 që ishte në shkurt dhe 1.234 në janar.

Rënia mund të lidhet me rritjen e çmimeve në produkte dhe shërbime, ku inflacioni në vend për muajin mars u raportua 5.7%. Rritja më e madhe e çmimeve ishte tek transporti, me 20%, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës. Ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, me 9.3%.

Një analizë e mëhershme të Gazetasi.al, tregoi se konsumatorët, ndryshonin sjellje mbi depozitat sipas llojit të krizës që parashikohej. Në atë të 2008-s, depozitat u tërhoqën dhe në atë të 2020-s ato u rritën.

Në 2008-n, kur kriza nisi me rënien  e gjigandëve të përbotshëm financiarë (Lehman Brother..etj) edhe në Shqipëri qytetarët tërhoqën depozitat, për t’i mbajtur ato në shtëpi ose për t’i shpenzuar për produkte jo bazike, duke rritur konsumin.  Kjo ishte një periudhë e shkurtër e cila zgjati deri në mbyllje të vitit 2009.

Por kriza e tanishme, referuar ekonomistëve botërore, nuk është natyrore dhe reagimi ndaj saj po ashtu i paparashikuar. Inflacioni po rritet nga mungesa e ofertës dhe jo për shkak të rritjes së kërkesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë