Interviste

Preçi: Mbyllja e kumarit nxit informalitetin. Paratë do fluturojnë jashtë

Eksperti në fushën e ekonomisë Zef Preçi, në një intervistë të dhënë për Gazetën “Si”, tregon qasjen e tij në lidhje me nismën drastike të qeverisë për mbylljen e pikave të basteve dhe lojërave të tjera të fatit.

Sipas ekspertit Preçi, në një situatë ku në këtë treg qarkullojnë shifra marramendëse nga burime ilegale dhe thyhet madje edhe ligji që kufizon sasinë e mbajtjes së parave cash, Qeveria bën mirë që i mbyll. Por Preçi thekson se ky treg nuk mund të injorohet teksa mund t'i sjellë përfitime arkës së shtetit siç ndodh në vendet e botës perëndimore.

Eksperti i Ekonomisë i kërkon pushtetit lokal dhe tatimeve që të kenë kujdes në dhënien e licensave të reja për zëvendësimin e bizneseve të mbyllura të basteve, që sidomos pranë institucioneve edukuese të ngrihen aktivitete që kanë lidhje me këto institucione.

Gjithashtu ai i bën thirrje sistemit bankar që të jetë i kujdesshëm, në kuptimin e mbrojtjes së interesave publike dhe të mospërfshirjes në veprime kriminale.

Intervistoi: Sabina Veizaj

Z. Preçi cila është qasja juaj në lidhje me ligjin që u miratua për mbylljen e basteve, bingove, etj në tregun e lojërave të fatit? Arkat e shteteve në botë mbushen me shuma marramendëse nga ky treg, qoftë nga taksat, qoftë nga licensat. Cilat janë efektet e vendimit drastik të qeverisë?

Në çfarëdolloj ndërhyrje në tregje, predominacën duhet ta ketë interesi publik.Është mirë të analizohet ku qëndron interesi i ekonomisë kombëtare.

E para duhet që paratë që qarkullojnë në këtë treg, që qeveria flet për shifra marramendëse (700 mijë euro që unë nuk e besoj),  këto para pavarësisht origjinës së tyre të qëndrojnë brenda vendit.

Për sa kohë këto para qëndrojnë brenda ekonomisë kombëtare nuk është edhe aq keq.

Aspekti tjetër është që këto para duhet të qarkullojnë në mënyrë legjitime. Duhet të sekuestrohen dhe të kalojnë në buxhetin e shtetit. Duhet penguar pastrimi i parave kriminale, të drogës, të korrupsionit, të nderave, etj. Këto para duhet të shkojnë në buxhet si e ardhur. Vendi nuk duhet të humbë avantazhet e turizmit, sepse është një element që bota e qytetëruar e ka në funksion të turizmit sepse diversifikon shërbimet që u ofron turistëve.

Duhet parë në një plan më pragmatik. Është një treg që ka zënë vend prej vitesh. Ka marrë formën e një epidemie që nga njëra anë reflekton varfërinë dhe dështimet e reformave të premtuara nga qeveria dhe në të njëjtën kohë reflekton që ka në qarkullim para që vijnë nga burime informale që në thelb e bëjnë të lulëzojë këtë treg.

Mbyllja e pikave të basteve në këtë situatë dhe panoramë që sapo bëra, të  cilat kanë shpërthyer si kërpudhat pas shiut e shoh pozitive, por ka nevojë që të riorganizohet tregu.

Si e gjykoni vendimin për mbylljen e Autoritetit Mbikqyrës të Lojërave të Fatit?

Është i pakuptimtë vendimi i qeverisë për të shkrirë Entin Rregullator. Ndërhyrja në treg kërkon modernizimin dhe fuqizimin e Entit, shfrytëzimin e avantazheve të teknologjisë, bashkëpunimin me sektorin bankar në mënyrë që të mos nxisë fluksin e parave jashtë vendit si Kosova, Mali i ZI, Maqedonia, etj. Kjo nuk është në interesin e ekonomisë kombëtare.

Në procesin e riorganizimit të tregut është e nevojshme të konsultohen përvojat më të  mira të vendeve Perëndimore përsa i përket edhe taksimit. Është e pafalshme që Qeveria takson punën intelektuale me 23% dhe që janë thjesht  12-15 shqiptarë që e kanë këtë nivel page dhe tu bëjë favore oligarkëve ku përfshihen edhe një pjesë e politikanëve që kanë konflikt interesi që janë aksionerë apo të përfshirë në këtë treg.

Në këtë kuptim taksimi mbetet një element shumë i rëndësishëm i reformimit me synimin; jo zhdukjen e tregut (sepse edhe në komunizëm ka ekzistuar) sepse vesi nuk zhduket me dhunë, por me vdekjen e njeriut siç thotë populli. Por tregu të riorganizohet që të mos jenë pikat e basteve të shpërndara si kërpudhat pas shiut. Mund të ndiqet një politikë e ngjashme me farmacitë, që të lejohen kaq për aq banorë dhe me kritere si; jashtë qendrave të banuara, etj.

Është shumë e rëndësishme të merren përvojat e vendeve perëndimore dhe unë jam pro taksimit të rëndë të tyre dhe njëkohgësisht të detyrimit të ture që transaksionet ti kryejnë nëpërmjet sistemit bankar sepse ka një shkallë të lartë të informalitetit. Të legjitimohet transaksioni.

Por mbyllja në mënyrë drastike nxit informalitetin dhe jep një mundësi që këto para të fluturojnë jashtë vendit. Në të njëjtën kohë duhet patur kujdes me lojërat elektronike sepse ekziston rreziku që njerëzit mund të blejnë karta siç blejnë kartat e telefonit dhe luajnë nga shtëpia në platforma të vendeve të tjera dhe kjo krijon probleme edhe më të mëdha në të ardhmen.

Të rritet edukimi, të ketë programe edukimi për rreziqet, njëkohësisht të ketë oportunitet për punë që njerëzit të mos mendojnë se paratë rriten në pemë. Të taksohen qytetarët që mendojnë se paratë rriten në pemë, vijnë nga bastet.

Të dhënat tregojnë se janë 7-9 mijë persona që do të mbesin të papunë pas 1 janarit 2019 me hyrjen e ligjit në fuqi për mbylljen e pikave të basteve, etj. Ç’politikë duhet ndjekur në optikën tuaj?

Problemi social është i diskutueshëm. Mendohet të jenë diku 7500 vetë. Kurse informaliteti është minimalisht 50%, që do të thotë në këtë sektor punojnë të paktën 15 mijë veta që pavarëisht se në të zezë, sigurojnë të ardhurat minimale për familjet  e tyre. Janë edhe një zinxhir tjetër shërbimesh që lidhen me këtë treg që nga sanitaret, qiradhënësit e mjediseve ku zhvillohen këto aktivitete. 1 mln euro qarkullohen vetëm nga qiratë. Natyrisht që një pjesë e tyre do të përshtaten me tregun; do të shndërrohen në Bar-Kafe, por unë do gjej rastin të tërheq vëmendjen që pushteti vendor dhe tatimet të tregohen të kujdesshëm në dhënien e licensaave për bizneset e reja që do të çelen  në vend të basteve. Do të ishte shumë e dëshirueshme që sidomos në vendet pranë institucioneve arsimore; shkollave apo mjediseve të edukimit të jepeshin licensa për biznese që kanë lidhje me edukimin; përshembull kanceleri, librari, fitness që kanë lidhje me shkollën e që ta bëjnë mjedisin dhe kohën e lirë më atraktive.

Ndërkohë ajo që është artikuluar nga qeveria në lidhje me programet e trajnimit falas për ata që humbasin punën, nuk jam dakord.

Si duhet të orientohen sipas jush paratë e lira që do të mbeten nga pamundësia për të luajtur në këto përmasa aktuale?

Janë 3 lloje të ardhurash për mendimin tim; të ardhurat që vijnë nga puna dhe pensionet që është edhe pjesa më e vogël që qarkullon në tregun e lojërave të fatit. Në këtë rast, njerëzit duhet të vlerësojnë riskun; depozita, aksione, bono, etj.

Duhen të ketë ndërgjegjësim publik për oportunitetet e futjes në punë të parave që do të mbeten të lira.

Së dyti- janë para që vijnë nga aktiviteti informal; janë të ardhura nga emigracioni, që u fshihen taksave, etj. I njëjti arsyetim vlen edhe për këtë kategori


"Sistemi bankar të jetë i kujdesshëm në kuptimin e mbrojtjes së interesave publike dhe të mospërfshirjes në veprime kriminale."  Zef Preçi

Kategoria e tretë është kategoria “VIP”, të ardhura që vijnë nga aktivitete kriminale ku hyjnë bastexhinjtë e mëdhënj, në të cilën hyjnë edhe politikanët. Për këta, agjencitë ligjzbatuese duhet të rrisin fuqinë ligjzbatuese dhe parandaluese dhe ndëshkuese se sa të merren me leksione postportum apo sekuestrime pasurish të patundshme, etj. Ka nevojë për të rritur inteligjencën dhe bashkëpunimin sidomos me sistemin bankar. Kuadri ligjor ju pamundëson qytetarëve shqiptarë të mbajnë cash deri në 15 mijë dollarë. Mirëpo të dhënat që vijnë nga kazinotë tregojnë se njerëzit luajnë me shifra shumë të mëdha duke thyer ligjin. Sistemi bankar të jetë i kujdesshëm në kuptimin e mbrojtjes së interesave publike dhe të mospërfshirjes në veprime kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë